Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Roskovec, ku Refit Buzi vrau prindërit e ish partneres dhe më pas edhe veten, ka tronditur opinionin publik.
Në një intervistë për emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, eksperti i sigurisë Fatjon Softa analizoi detajet kryesore të këtij incidenti, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rënda të dhunës në familje dhe marrëdhënieve personale.
Sipas Softës, ngjarja mbart tre përbërës kritikë që kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të forcave speciale RENEA: Vrasja, pengmarrja dhe në fund vetëvrasja.
“Personi paraqiste rrezikshmëri të lartë jo vetëm për personin që mbante peng, por edhe për të tjerët rrotull. Kjo bëri të nevojshme angazhimin e forcave speciale”, shpjegoi Softa.
Eksperti i sigurisë theksoi se fakti që autori kishte ardhur nga Anglia sugjeron se krimi nuk lindi nga një vendim i çastit, por mund të ketë qenë i planifikuar paraprakisht.
Softa ngriti gjithashtu pyetje mbi origjinën e armës së përdorur (nëse ishte me apo pa leje) dhe renditi dy pistat kryesore të motivit: Financat, pasi një shumë parash kërkohej të kthehej dhe refuzimi i ndarjes së autorit me ish-partneren.
Pavarësisht fundit tragjik për autorin, Fatjon Softa i vlerësoi veprimet e policisë si mjaft profesionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
