Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Xhorxhias në SHBA, ku një 14-vjeçar dyshohet se qëlloi aksidentalisht motrën e tij 12-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës me të njëjtën armë.

Sipas mediave lokale, incidenti ndodhi të mërkurën pasdite në një banesë në Stockbridge, në juglindje të Atlantës. Viktima, Seven Shirley, humbi jetën nga një plagë me armë zjarri të shkaktuar ndaj vetes, ndërsa motra e tij, Lyric, u plagos rëndë në qafë. Familjarët e përshkruan ngjarjen si një tragjedi të papërshkrueshme. Gjyshja e 14-vjeçarit, Sharon Smith, tha se nipi i saj mund të ketë vepruar në panik, nga frika e pasojave pas plagosjes aksidentale të motrës.

“Ai mund të ketë menduar se do të shkonte në burg dhe se të gjithë do ta gjykonin. Ndoshta nuk mundi ta përballonte atë mendim,” u shpreh ajo për mediat lokale. Smith tha se kishte rritur Seven që kur ishte vetëm 11 muajsh dhe e përshkroi si një fëmijë të dashur dhe të kujdesshëm.

Familja deklaroi se ende nuk e di se si adoleshenti kishte siguruar armën apo pse e kishte në dorë në momentin e incidentit. Gjyshja bëri thirrje për kontrolle më të rrepta mbi aksesin e të miturve në armët e zjarrit, duke theksuar se tragjedia mund të ishte shmangur. Ndërkohë, 12-vjeçarja Lyric vazhdon të jetë e shtruar në spital. Ajo i është nënshtruar tre ndërhyrjeve kirurgjikale në fyt dhe në kordat vokale, ndërsa mjekët vijojnë përpjekjet për t’i shpëtuar jetën.

Reperi fitues i çmimit Grammy, 21 Savage, i cili sipas familjarëve e konsideronte Seven Shirley si nipin e tij, reagoi në rrjetet sociale duke publikuar një fotografi të vjetër të djalit, të shoqëruar me mbishkrimin: “Më kujtohet kur ishe foshnjë”, dhe një emoji me zemër të thyer.

Savage
Savage

Përmes një deklarate, familja kërkoi respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të dhimbshme dhe u bëri thirrje të gjithëve të luten për shërimin e Lyric. Tragjedia vjen vetëm pak javë pasi familja kishte përjetuar një tjetër humbje të rëndë. Sipas të afërmve, kushëriri 13-vjeçar i Seven, DeMarcus Shirley, u vra në një sulm me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në Qarkun DeKalb.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: