Me afrimin e Adnard Mehmetit nga Partizani, Vllaznia duket se ka plotësuar një nga boshllëqet më të rëndësishme të merkatos së saj verore. Prej javësh, drejtuesit kuqeblu ishin në kërkim të një mesfushori me tipare organizatori, një futbollisti që të merrte përsipër ndërtimin e lojës dhe të jepte më shumë qartësi në fazën sulmuese.

Tashmë, me mbërritjen e 25-vjeçarit në Shkodër, duket se ky objektiv është arritur. Mehmeti është një profil që i kishte munguar skuadrës së Edi Martinit. Përveç cilësive teknike dhe vizionit në fushë, ai pritet të sjellë më shumë ekuilibër në repartin e mesfushës, duke qenë lojtari që lidh mbrojtjen me sulmin dhe që merr përgjegjësinë për ritmin e lojës. Pikërisht ky ishte një element që Vllaznia kishte kërkuar prej kohësh, sidomos pas ndryshimeve të shumta në organikë gjatë kësaj vere. Ardhja e tij e mbipopullon edhe më shumë repartin e mesfushës, aty ku Martini tashmë ka alternativa të shumta për çdo rol.

Konkurrenca pritet të jetë e fortë, por njëkohësisht kjo i jep trajnerit shkodran më shumë mundësi për të zgjedhur formacionin ideal, në varësi të kundërshtarit apo skemës taktike që do të përdorë. Një luks që deri pak javë më parë mungonte në kampin kuqeblu. Megjithatë, merkatoja e Vllaznisë nuk konsiderohet ende e mbyllur. Edhe pse mesfusha tashmë duket e kompletuar, drejtuesit dhe stafi teknik janë të përqendruar në afrimin e tre përforcimeve të tjera cilësore, të cilat do t’i jepnin ekipit një tjetër nivel përpara nisjes së kampionatit.

Synimet mbeten të qarta dhe repartet që kërkojnë ndërhyrje janë identifikuar prej kohësh. Prioriteti i parë mbetet porta, ku kërkohet një gardian me eksperiencë që të garantojë siguri gjatë gjithë sezonit. Paralelisht, Vllaznia synon edhe një mbrojtës që të rrisë konkurrencën në prapavijë, ndërsa në repartin ofensiv kërkohet një sulmues me cilësi, i aftë të ndajë peshën e golit me Bekim Balajn dhe t’i japë ekipit më shumë alternativa në fazën e fundit. Nëse edhe këto tre objektiva realizohen në ditët në vijim, atëherë Vllaznia mund ta konsiderojë merkaton e saj pothuajse të plotësuar. Me një mesfushë tashmë të konsoliduar falë afrimit të Adnard Mehmetit dhe me disa lëvizje të tjera të rëndësishme në horizont, kuqeblutë synojnë të ndërtojnë një skuadër më konkurruese, e aftë për të qenë protagoniste në sezonin e ri të Superiores.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb