Shoqata Patriotike “Çamëria”, Dega Elbasan zhvilloi Kuvendin Zgjedhor, në kuadër të procesit të riorganizimit të degës, ndërsa të pranishmit theksuan se sfidat e së kaluarës dhe padrejtësitë historike ndaj komunitetit çam mbeten ende të hapura.
Tahir Muhedini, president nderi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet teksa solli në vëmendje fillimet e angazhimit për çështjen çame, mbajti qëndrim kritik ndaj kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi, për të cilin tha se nuk ka bërë përpjekjet e duhura për kauzën e tyre. Ndaj ai kërkoi ndarjen e shoqatës “Çamëria” nga aktiviteti i partisë.
Edhe gazetari Hyqmet Zane shprehu nevojën për një organizim më të fortë të shoqatës “Çamëria”. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe studiuesja e trashëgimisë kulturore, Elvira Resmeliu.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin figura të shquara që kanë kontribuar për çështjen çame, si poeti Ahmet Mehmeti, Lutfi Saqa, Agim Seiti dhe Osman Dautaj, të cilët vlerësuan rëndësinë e riorganizimit të shoqatës në të gjithë vendin. Pas diskutimeve u zhvillua edhe procesi i votimit, ku Shoqata Patriotike “Çamëria” në Elbasan do të drejtohet nga Hyqmet Zane, kurse nënkryetare u zgjodh Elvira Resmeliu.
