Interi kërkon një tjetër goditje angleze në merkato. Pas afrimit të John Stones, që pritet të zyrtarizohet pas testeve mjekësore, klubi zikaltër ka hedhur sytë te një tjetër futbollist i Premier League, Curtis Jones.
Mesfushori i Liverpoolit është një dëshirë e trajnerit Cristian Chivu, i cili kërkon të shtojë në repartin e mesfushës më shumë forcë fizike, eksperiencë dhe cilësi teknike. Jones shihet si një profil që mund t’i japë më shumë alternativa lojës së Interit, por rruga drejt marrëveshjes nuk është aspak e lehtë.
Liverpooli kërkon rreth 40 milionë euro për kartonin e 24-vjeçarit, ndërsa Interi nuk dëshiron të shkojë përtej një oferte prej 25 milionë eurosh. Zikaltërit kanë edhe një avantazh: miratimin e vetë lojtarit, i cili prej muajsh e sheh Interin si një destinacion të preferuar.
Megjithatë, klubi italian duhet të sistemojë më parë disa lojtarë në dalje. Chivu dëshiron të ketë një grup prej shtatë mesfushorësh dhe për këtë arsye pritet largimi i disa elementëve, me Kristjan Asllanin dhe Massolin që janë ndër emrat më të përfolur. Ndërkohë, situata e Davide Frattesit mbetet dilema kryesore.
Objektivi i Interit është i qartë: të krijojë hapësirën e nevojshme në skuadër dhe më pas të provojë goditjen për Curtis Jones, një operacion i planifikuar prej muajsh, por që ende mbetet i ndërlikuar për t’u realizuar.
