Edison Lika, një prej aktivistësve në protestën para Kryeministrisë, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe vijimin e mobilizimit qytetar.
Lika u shpreh se, sipas tij, këmbëngulja e Ramës për të mos dhënë dorëheqjen tregon frikë nga presioni i protestës. “Sa më shumë del në media dhe thotë se nuk do të japë dorëheqjen, aq më shumë i ka hyrë frika”, deklaroi ai.
Duke folur për Partinë Socialiste dhe drejtimin e saj, Lika hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës, duke pretenduar se protesta ka krijuar një përplasje brenda saj.
“Ai ka mbledhur partinë e tij, që është bandë kriminale. Rama ishte i vetmi që mund ta menaxhonte këtë strukturë, sepse ka atë aftësi”, tha Lika. Sipas tij, paralajmërimet se protesta do të sillte konflikt në shoqëri nuk qëndrojnë.
“Prej kohësh na thonin se kjo protestë do ta dërgojë Shqipërinë në një konflikt. Jo, kjo protestë e ka futur PS-në në një konflikt”, u shpreh ai.
