Debati për reformën e re territoriale ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe Bashkinë Klos, një territor me 12.172 banorë, me një sipërfaqe prej 371.7 kilometrash katrorë dhe është pjesë e 100 fshatrave turistik duke u përfaqësuar me Guri i Bardhë, një nga zonat më të njohura për historinë, traditën dhe potencialin turistik. Në një bashki me një shtrirje kaq të madhe territoriale, konsultimi me qytetarët nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një domosdoshmëri demokratike.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, ka bërë të ditur gjatë mbledhjes të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkia të bërë sot se institucioni është njohur zyrtarisht me projektin vetëm pak ditë më parë dhe se ligji parashikon një periudhë 60-ditore për shqyrtimin e tij. Gjatë kësaj kohe do të zhvillohen dëgjesa publike në të gjithë territorin e bashkisë.
“Brenda këtyre 60 ditëve kemi kohën e mjaftueshme për të dalë, për të bërë dëgjesat publike në çdo cep të territorit dhe për të dëgjuar mendimin e të gjithë qytetarëve”, deklaroi ajo.
Edhe më domethënës ishte mesazhi i saj se qëndrimi përfundimtar nuk do të jetë personal apo politik, por do të pasqyrojë vullnetin e komunitetit.
“Kryetari i bashkisë është thjesht një shërbëtor i komunitetit që e ka votuar. Karrigia e bashkisë është e qytetarëve. Unë, si e zgjedhur, do të jem me mendimin e qytetarëve. Nëse qytetarët do të jenë pro, do të jem pro. Nëse qytetarët do të jenë kundër, do të jem kundër”, u shpreh Valbona Kola.
Ky proces konsultimi merr një rëndësi të veçantë për Klosin. Për shumë vite ky qytet ishte simbol i mungesës së investimeve. Rruga që e përshkonte ishte e mbushur me baltë e gropa, ndërsa unaza e qytetit ishte vetëm një gjurmë infrastrukture. Për një kohë të gjatë, Klosi ishte një nga qytetet që dukej sikur ishte lënë në harresë.
Sot realiteti është krejt tjetër. Qyteti ka ndryshuar ndjeshëm falë investimeve në infrastrukturë, rikualifikimit urban dhe ndërtimit të godinës së re të Bashkisë. Një rol vendimtar në këtë transformim ka luajtur edhe Rruga e Arbrit, e cila e ka afruar Klosin me Tiranën, ka rritur mundësitë për zhvillim ekonomik dhe ka krijuar perspektiva të reja për turizmin, biznesin dhe investimet.
Megjithatë, pasuria më e madhe e Klosit nuk janë vetëm investimet. Janë njerëzit e tij. Klosi njihet për banorët mikpritës, për traditat dhe për nivelin e lartë intelektual. Në administratën vendore janë angazhuar shumë të rinj e të reja, profesionistë që kanë zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë në vendlindjen e tyre. Ata japin një kontribut të rëndësishëm në administrimin e bashkisë, por mbi të gjitha përfaqësojnë një mesazh shprese se edhe në Klos mund të ndërtohet një e ardhme.
Në një kohë kur shumë zona të veriut janë përballur me emigracionin dhe shpopullimin, ky është ndoshta zhvillimi më i rëndësishëm. Çdo i ri që vendos të ndërtojë jetën në Klos është një investim për të ardhmen e qytetit.
Ekzistenca, vazhdimësia dhe funksionimi i Bashkisë Klos kanë një rëndësi që shkon përtej aspektit administrativ. Ato përfaqësojnë një sinjal të qartë besimi nga shteti ndaj komunitetit dhe ndaj së ardhmes së këtij territori. Prania e institucionit të bashkisë nuk është thjesht një çështje organizimi të pushtetit vendor apo një e drejtë e garantuar me ligj; ajo ka një vlerë të fortë simbolike, sepse u jep banorëve ndjesinë se komuniteti i tyre ka identitet, përfaqësim dhe perspektivë zhvillimi.
Për banorët e Klosit, bashkia nuk është vetëm godina ku ofrohen shërbimet publike. Ajo është institucioni që mishëron identitetin lokal dhe besimin se qyteti i tyre ka një rol në zhvillimin e vendit. Dobësimi ose humbja e këtij institucioni mund të perceptohet si një sinjal se Klosi po humbet rëndësinë e tij në hartën administrative të Shqipërisë. Në një kohë kur sfida më e madhe mbetet frenimi i shpopullimit dhe krijimi i arsyeve që të rinjtë të jetojnë e të investojnë në vendlindje, ruajtja e një institucioni të fortë vendor është edhe një investim në besimin e qytetarëve për të ardhmen.
Për këtë arsye, çdo diskutim mbi shkrirjen e Bashkisë Klos nuk duhet parë vetëm si një ndryshim teknik apo administrativ. Ai ka edhe një dimension social, psikologjik dhe zhvillimor. Nëse Klosi humbet statusin e bashkisë, shumë të rinj mund ta lexojnë këtë si një sinjal se shteti nuk beson më te e ardhmja e qytetit të tyre. Një mesazh i tillë mund të dekurajojë investimin në vendlindje dhe të nxisë largimin e mëtejshëm të popullsisë, pikërisht në një kohë kur po bëhen përpjekje për të frenuar shpopullimin.
Klosi nuk është më qyteti i harruar i dikurshëm. Ai është një bashki që ka ndryshuar, që ka fituar një identitet të ri zhvillimi dhe që ka potencial të madh ekonomik, turistik dhe njerëzor. Rruga e Arbrit i ka dhënë mundësi të reja, ndërsa investimet publike kanë krijuar një klimë më optimiste për të ardhmen. Pikërisht tani, kur ky transformim ka filluar të japë frytet e tij, do të ishte paradoksale që qyteti të humbiste statusin e bashkisë.
Reformat e rëndësishme, veçanërisht ato që prekin organizimin territorial të vendit, nuk mund të ndërtohen pa konsensusin e qytetarëve dhe të institucioneve të pushtetit vendor. Legjitimiteti i tyre nuk buron vetëm nga miratimi në Parlament, por edhe nga pranimi dhe mbështetja e komuniteteve që preken drejtpërdrejt nga këto ndryshime. Vetëm një proces i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku dëgjohet zëri i qytetarëve dhe respektohet mendimi i institucioneve lokale, mund të prodhojë një reformë të drejtë, të qëndrueshme dhe vërtet demokratike.
Prandaj, përpara se të merret çdo vendim për të ardhmen e Bashkisë Klos, duhet të dëgjohen qytetarët e saj. Ata janë ata që jetojnë çdo ditë në këtë territor, që njohin nevojat, sfidat dhe potencialin e tij. Reforma territoriale duhet të jetë një instrument zhvillimi dhe jo një burim pasigurie. Në fund të fundit, Klosi nuk është vetëm një njësi administrative në hartën e Shqipërisë. Ai është një komunitet me histori, identitet, potencial dhe dinjitet. Pikërisht për këtë arsye, ai meriton të dëgjohet.
