Universiteti prestigjioz britanik i Kembrixhit ka njoftuar se do të rishikojë procesin e rekrutimit për pozicionet e larta akademike, pas dorëheqjes së profesorit të sociologjisë së arsimit, Jason Arday, i cili u përfshi në një hetim lidhur me akuza për plagjiaturë. Arday, 41 vjeç, dha dorëheqjen të mërkurën pasi universiteti nisi një shqyrtim mbi kualifikimet dhe vlerësimet akademike të tij. Kembrixhi bëri të ditur se hetimi do të vijojë për të analizuar edhe rrethanat në të cilat ai u emërua në këtë pozicion.

Profesori u bë një figurë e njohur në vitin 2023, kur u emërua në Kembrixh dhe u bë profesori më i ri me ngjyrë në historinë e universitetit, në moshën 37-vjeçare. Universiteti deklaroi se përfundimet e hetimit do të përdoren për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të profesorëve në nivelet më të larta akademike.

Akuzat ndaj Arday-t lidhen me pretendime për plagjiaturë në pjesë të punimit të tij të doktoraturës, të cilat ai i ka mohuar. Në një deklaratë, ai theksoi se dorëheqja e tij “nuk duhet të interpretohet si pranim i akuzave”. Përveç çështjes së rekrutimit, komiteti hetimor i universitetit po shqyrton edhe pretendime të tjera për sjellje të pahijshme akademike ndaj tij.

Disa akademikë kanë kërkuar një hetim të pavarur mbi mënyrën e emërimit të Arday-t. Profesoresha Priyamvada Gopal nga Kembrixhi deklaroi se çështja ka sjellë dëme si ndaj individit të përfshirë, ashtu edhe ndaj komunitetit akademik me ngjyrë. Ndërkohë, Universiteti Liverpool John Moores, ku Arday zhvilloi doktoraturën, kishte përfunduar më herët një hetim lidhur me akuzat për plagjiaturë dhe e kishte liruar atë nga pretendimet e ngritura.

Akuzat fillestare ndaj Arday-t u ngritën nga studiuesi amerikan Nathan Kofnas, i cili më pas u largua nga Kembrixhi në vitin 2024 pas akuzave për racizëm. Arday dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se motivet raciste mund të kenë luajtur rol në mënyrën se si është trajtuar çështja e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: