Libani dhe Izraeli kanë arritur një dakordësi për një listë të shkurtër shtetesh që mund të dërgojnë trupa në Liban për të verifikuar procesin e çarmatimit të Hezbollahut, raportoi Reuters, duke cituar një zyrtar libanez.
Sipas burimit, lista është hartuar gjatë bisedimeve të zhvilluara në ambasadën amerikane në Romë, ndërsa Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin se cili ose cilët shtete do të marrin pjesë në mision. Emrat e vendeve nuk janë bërë ende publikë.
Çështja lidhet me marrëveshjen e arritur më 26 qershor, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon që tërheqja graduale e forcave izraelite nga territori libanez të kushtëzohet me çarmatimin e Hezbollahut, proces që do të monitorohet nga një palë e tretë.
Hezbollahu nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe ka refuzuar të dorëzojë armët. Ndërkohë, autoritetet libaneze kanë kundërshtuar edhe një propozim të mëhershëm që verifikimi të kryhej nga kompani private sigurie.
Sipas zyrtarit libanez, verifikimi do të realizohet vetëm nga shtete, ndërsa mbetet ende për t’u përcaktuar numri i trupave, mandati i tyre dhe mënyra e bashkëpunimit me ushtrinë libaneze.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është vendosja e këtyre trupave nën mandatin e misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), çka do të kërkonte miratimin e një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
