Bisedimet mes Omanit dhe Iranit për situatën në Ngushticën e Hormuzit po shënojnë përparim, ndërsa një marrëveshje mund të arrihet së shpejti. Kështu është shprehur një zyrtar amerikan për agjencinë Reuters.
Sipas tij, pas njoftimit të një marrëveshjeje që garanton rivendosjen e lundrimit të papenguar tregtar në Ngushticën e Hormuzit, Shtetet e Bashkuara do të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane.
“Ka përparim mes Omanit dhe Iranit në lidhje me Ngushticën e Hormuzit dhe ne presim një marrëveshje së shpejti”, deklaroi zyrtari amerikan.
Ai theksoi se çdo veprim i SHBA-së do të mbetet i kushtëzuar nga respektimi i angazhimeve të marra nga Irani.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim që lidhet me sigurinë dhe lirinë e lundrimit në këtë zonë ndiqet me vëmendje nga tregjet ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar.
