Protesta e banorëve të Divjakës ka hyrë sot në ditën e nëntë, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në shesh kundër projektit të reformës së re territoriale. Kërkesa kryesore e protestuesve është që Bashkia e Divjakës të mos shkrihet dhe të mos i bashkohet Lushnjës, siç parashikohet në projektin e reformës.
Banorët argumentojnë se Divjaka i plotëson parametrat historikë, gjeografikë dhe ekonomikë për të vijuar të funksionojë si bashki më vete. Sipas tyre, shkrirja e institucionit do të sillte vështirësi në marrjen e shërbimeve, pasi qytetarëve do t’u duhej të udhëtonin më larg për të zgjidhur çështjet administrative. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me ruajtjen e identitetit të Divjakës si qytet, të cilin protestuesit thonë se do ta humbnin në rast të bashkimit me Lushnjën.
Në përfundim të protestës, qytetarët kanë marshuar si çdo mbrëmje në rrugët kryesore të qytetit, duke u kujdesur që të mos pengohet qarkullimi i lirë i automjeteve dhe qytetarëve. Në protestën e sotme është shtuar edhe një kërkesë tjetër: qytetarët kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme Divjaka të përfaqësohet nga kandidatë divjakas, duke argumentuar se përfaqësuesit duhet të jenë banorë dhe njohës të drejtpërdrejtë të problematikave të zonës.
