Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë, duke shkaktuar viktima, dëme të mëdha materiale dhe shembjen e disa ndërtesave. Lëkundjet e forta u ndjenë në një pjesë të gjerë të Amerikës Latine, nga Ekuadori deri në Panama.

Epiqendra e tërmetit ishte pranë San José del Palmar, në provincën Chocó, në një thellësi prej rreth 96 kilometrash dhe rreth 300 kilometra larg Bogotás. Qytetet Cali, Pereira, Armenia dhe Manizales u prekën nga lëkundjet, ndërsa në Manizales raportohet edhe shembja e kullës së një katedraleje.

Situata më e rëndë raportohet në Cali, ku është dëmtuar rëndë një spital universitar. Reparti pediatrik dhe njësia e kujdesit intensiv janë prekur nga shembja e një pjese të strukturës, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.

 

 

Drejtoresha e spitalit, Irne Torres, e përshkroi situatën si “një dramë brenda një drame”. Sipas saj, të paktën një pacient ka humbur jetën, ndërsa rreth 10 persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja. Ajo paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.

“Shembja preku 30% të strukturës dhe, në veçanti, repartet pediatrike dhe të kujdesit intensiv. Në këtë moment, ne e dimë se ka të paktën 10 persona të bllokuar dhe mund të konfirmojmë të paktën një vdekje, por kemi frikë se mund të ketë deri në pesë”, deklaroi Torres për Radio Caracol.

Spitali nuk është më në gjendje të presë pacientë të rinj, ndërsa të gjithë pacientët e shtruar janë zhvendosur në ambientet e jashtme për shkak të dëmtimeve të strukturës. Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu ndihmë me furnizime gjaku për përballimin e situatës.

Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa autoritetet po vlerësojnë përmasat e dëmeve dhe numrin e viktimave. Fatkeqësia natyrore ka goditur Kolumbinë në një moment të ndjeshëm politik, vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës nga presidenti i ri.

 

“Kushdo që mund të vijë të ndihmojë, ju lutemi të vijë në klinikën Valle Salud. Kam shumë pacientë të kujdesit intensiv të bllokuar . Duhet t’i nxjerrim jashtë. Spitali është shembur”, shkroi Dr. Juan Gallego në Instagram disa minuta pas tërmetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: