Izraeli nuk planifikon të tërhiqet nga zona e sigurisë në Liban, për sa kohë që Hezbollahu mbetet i armatosur dhe konsiderohet kërcënim për sigurinë e vendit, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. Katz tha se ushtria izraelite po përgatitet për një “prani të zgjatur” në Liban, duke argumentuar se trupat do të qëndrojnë në zonë deri në çarmatimin e Hezbollahut.

“Kam urdhëruar ushtrinë izraelite të përgatitet për një prani të zgjatur në zonë, me qëllim mbrojtjen e forcave luftarake dhe komuniteteve, derisa ky qëllim të arrihet plotësisht”, deklaroi Katz, sipas Reuters. Ministri izraelit theksoi se tërheqja nuk do të ndodhë për sa kohë që Hezbollahu nuk është çarmatosur dhe kërcënimi i tij nuk është eliminuar.

Netanyahu: Nuk tërhiqemi nga Gaza pa çarmatosjen e Hamasit
Deklarata e Katz vjen në të njëjtën linjë me qëndrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për Gazën.

Netanyahu ka kundërshtuar tërheqjen e forcave izraelite përpara çarmatimit të plotë të Hamasit, pavarësisht një propozimi të mbështetur nga Donald Trump që parashikon një tërheqje graduale të Izraelit paralelisht me çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Ndërkohë, partia Likud e Netanyahut pritet të vendosë theks të madh te çështjet e sigurisë përpara zgjedhjeve të 27 tetorit, të parat që zhvillohen në Izrael që prej sulmit të 7 tetorit 2023.

Qëndrimi i qeverisë izraelite sinjalizon se prania ushtarake e Izraelit në të dyja frontet, Liban dhe Gaza, mund të vijojë edhe nëse arrihen marrëveshje të reja për armëpushim apo tërheqje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: