Dokumenti më i fundit i Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë, i publikuar në fillim të gushtit, sinjalizon se Tokio — nën udhëheqjen e Kryeministres Sanae Takaichi — po e shndërron modernizimin gradual ushtarak në një arkitekturë sigurie kombëtare më të integruar, agresive dhe me ndikim të gjerë. Kjo lëvizje po ndryshon rrënjësisht peizazhin strategjik përgjatë periferisë lindore të Kinës, përmes një sistemi të projektuar jo vetëm për të absorbuar sulmet, por për të kryer goditje me rreze të gjatë veprimi larg territorit japonez.

Dokumenti i bardhë e përshkruan mjedisin e sigurisë si më të rëndin dhe më me kompleksin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ndër kërcënimet kryesore renditen aktivitetet ushtarake kineze pranë ujërave japoneze, çështja e Tajvanit, programet bërthamore e raketore të Koresë së Veriut, si dhe bashkëpunimi ushtarak gjithnjë e më i ngushtë midis Pekinit, Mosfës dhe Phenianit.

Për t’ju përgjigjur këtyre sfidave, Tokio po zbaton një rishikim të thellë të tri dokumenteve bazë të sigurisë — Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Strategjisë së Mbrojtjes Kombëtare dhe Programit të Ndërtimit të Mbrojtjes.

Një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë është krijimi më 31 korrik i Byrosë Kombëtare të Inteligjencës. Duke zëvendësuar dhe përmirësuar ish-Zyrën e Inteligjencës dhe Kërkimit të Kabinetit, byroja e re konsolidon informacionin nga të gjitha agjencitë shtetërore. Me rreth 700 punonjës, ajo do të veprojë si sekretariat i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës të kryesuar nga vetë kryeministrja, duke shërbyer si një “kullë kontrolli” qendrore për inteligjencën e fragmentuar japoneze.

Kjo strukturë shoqërohet me zgjerimin e mbikëqyrjes satelitore e detare, forsimin e aftësive kibernetike dhe elektromagnetike, si dhe integrimin e instrumenteve diplomatike, ekonomike dhe teknologjike në funksion të mbrojtjes. Ndërkohë, në diskutim mbeten ende miratimi i një legjislacioni kundër spiunazhit dhe krijimi i mundshëm i një agjencie të dedikuar për inteligjencën e jashtme.

Ushtria japoneze po pëson një kthesë historike sa i përket doktrinës tradicionalisht mbrojtëse (Senshu Boei). De jure, Tokio pretendon se parimi mbrojtës ruhet, por de facto po blen dhe zhvillon armatime që lejojnë goditjen e kërcënimeve përpara se ato të prekin territorin e saj.

Përveç blerjes së raketave të lundrimit Tomahawk, ushtria po përmirëson armët vendase të rezistencës, ku veçrohet raketa anti-anije Tipi-25. Njëkohësisht, po përpejtohet zhvillimi i armëve hipersonike dhe mjeteve pa pilot (detare, ajrore dhe nënujore) të integruara në konceptin SHIELD (Mbrojtje e Sinkronizuar, Hibride, e Integruar dhe e Përmirësuar Bregdetare).

Kjo i ndërlikon së tepërmi llogaritjet ushtarake përgjatë zinxhirit të parë të ishujve dhe rreth Tajvanit, pasi territori japonez po kthehet nga një zonë mbrojtëse në një platformë operacionale për sulme me rreze të gjatë.

Rritja ushtarake shoqërohet me mbështetje masive financiare. Japonia ka përshpejtuar objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të PBB-së. Për vitin fiskal 2026, buxheti i mbrojtjes tejkaloi për herë të parë 9 trilionë jenët (rreth 56.5 miliardë dollarë).

Për më tepër, rishikimi i Tre Parimeve mbi Transferimin e Pajisjeve dhe Teknologjisë së Mbrojtjes lehtëson kufizimet historike për eksportin e armëve. Kjo u hap rrugën prodhimeve të përbashkëta ushtarake dhe integrimit të zinxhirit të furnizimit me SHBA-në dhe aleatët rajonalë si Australia, Filipinet dhe Korea e Jugut.

Zyrtarisht, Japonia iu përmbahet Tre Parimeve Jo-Bërthamore (mosposedimi, mosprodhimi dhe moslejimi i armëve bërthamore në territor). Këtë e konfirmoi edhe kryeministrja Takaichi gjatë ceremonive përkujtimore të 81-vjetorit të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki.

Megjithatë, formulimet e saj kanë lënë hapësirë për paqartësi strategjike, pa dhënë garanci se këto parime do të mbeten të paprekura në dokumentet e reja të sigurisë. Ekspertët po diskutojnë veçanërisht heqjen e ndalimit për futjen e armëve bërthamore aleate në territorin japonez. Industria e përparuar bërthamore civile e Japonisë dhe stoku i plutoniumit i japin vendit një “aftësi bërthamore latente”, që do të thotë se Tokio mund të armatosej bërthamorazi shumë më shpejt se shumica e shteteve të tjera nëse vendos ta bëjë këtë.

Kina po e vëzhgon me shqetësim të madh këtë transformim. Pekini zyrtar e ka dënuar qasjen e re të Tokios, duke e cilësuar si një “kthesë të rrezikshme drejt rimilitarizimit” dhe ka rritur patrullimet detare e ajrore rreth ishujve të disputuar.

Edhe pse Japonia mbetet më e vogël se Kina në popullsi dhe shpenzime ushtarake, integrimi i saj i ngushtë me rrjetin e sigurisë të udhëhequr nga SHBA-ja dhe teknologjia e avancuar e bëjnë atë një faktor ushtarak mjaft përcaktues. Japonia e re nuk është më thjesht një fuqi detare e kufizuar e pasluftës, por një lojtar kyç që po rivizaton hartën e sigurisë në Azinë Lindore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb