Një nga befasitë e sezonit të kaluar në radhët e Partizanit ishte padyshim sulmuesi kolumbian Diego Kontreras. Lojtari i afruar në radhët e ekipit B të kryeqytetasve, la shenjë që në debutimin e tij me skuadrën e parë në një ndeshje kampionati ndaj Teutës ku shënoi dy gola dhe u ndëshkua me të kuq brenda pak minutash.
Por në fund të sezonit, me largimin e trajnerit Oltijon Kërnaja që i besoi atij në edicionin e kaluar, edhe lojtari ka bërë valixhet dhe i ka dhënë lamtumirën të kuqve. Ai u transferua në Maqedoninë e Veriut, ku iu bashkua skuadrës së Arsimit.
Sot, sulmuesi bëri diferencën në ndeshjen e javës së tretë ndaj Bashkimit, pasi një gol i tij pak minuta para fundit, i dha suksesin 1-0 ekipit të Arsimit, që regjistroi kësisoj tre pikët e para të sezonit falë tij.
