Gjetjet nga ditarët e korrupsionit të komuniteteve të margjinalizuara
Nga Zylyftar Bregu
Rrjeti Anti-korrupsion në përbërje të të cilit janë 64 organizata të shoqërisë civile apelon institucionet publike të ndërmarrin analiza dhe të miratojnë reforma që ulin rreziqet e ngutshme për korrupsion, sidomos nepotizmin dhe patronazhimin, manipulimin administrativ, zhvatjen dhe korrupsionin politik, gjatë ndjekjes së proceseve administrative nga qytetarët për përfitimin e shërbimeve publike
Këto rreziqe dëmtojnë në mënyrë të shpërpjetuar komunitetet e margjinalizuara, si personat me aftësi të kufizuara, pakicat rome dhe egjiptiane, komuniteti LGBTQI+,dhe kane pasoja direkte ne qasjen në shërbime jetike apo mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre bazë.
Dokumenti i Pozicionit me titull “Korrupsioni në jetën e përditshme” bazohet në Ditarët e Korrupsionit dhe Hartën e Rreziqeve për Korrupsion të zhvilluar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit të cilat pasqyrojnë katër gjetje kryesore dhe një numër rekomandimesh të vlerësuara nëpërmjet dëshmive të 80 qytetarëve nëpër Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Fier.
Gjetja e parë lidhet me faktin se korrupsioni është i pranishëm në përditshmërinë e qytetarëve. “Korrupsioni nuk është vetëm ryshfet, por një sistem i përditshëm i qasjes së ndërmjetësuar ndaj shërbimeve publike, që ekzistojnë në letër ndërkohë që aksesimi i tyre në fakt kushtëzohet nga lidhjet, favoret dhe pagesat informale”, shkruajnë hartuesit të dokumentit të pozicionit. Sipas anketuesve pagesa rrallëherë kërkohet drejtpërdrejt. “Ajo ofrohet si “kafe,” “mirënjohje,” apo “dhuratë,” apo e nënkuptuar nga vizitat e përsëritura që qytetarët bëjnë në dyert e institucioneve si dhe vonesat e pashpjeguara në ofrimin e shërbimeve administrative. Qytetarët që e refuzojnë këtë rrugë nuk përballen me ndëshkime formale, por paguajnë gjithsesi”, nënvizohet në këtë dokument. Qytetarët janë të ndërgjegjshëm se korrupsioni është i paligjshëm, por se ndjekja e rregullave dhe procedurave administrative nuk çojnë në mënyrë të besueshme në rezultatet që premtojnë këto rregulla.
Gjetja e dytë lidhet me ekspozimin e tepër të komuniteteve të margjinalizuara ndaj fenomenit të korrupsionit.
Studimi i KSHH-së konfirmon se këto komunitete janë të mbiekspozuara sepse janë të detyruar të përballen me shtetin më shpesh, për shërbime për të cilat varen jetët e tyre, ndërkohë që kanë pamundësi objektive për të paguar çmimin informal (taksa e fshehur) e cila në disa raste është thuajse e barabartë nga përfitimi i shërbimit social për të cilin kërkohet. “65–75 % e personave me aftësi të kufizuar raportonin rreziqe të lidhura me korrupsionin përgjatë procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit të aftësisë së kufizuar, kritere të paqarta për të përcaktuar nivelet e përfitimit, kërkesat e përsëritura për dokumentacion, si dhe varësia nga komisionet mjekësore: vonesa që jo thjesht shkaktojnë pengesa, por që ndërpresin mbështetjen me të ardhura që mbulon pagesën për trajtim dhe mbështetje për lëvizshmërinë”, shkruhet në dokument. Si rezultat, “taksa e fshehtë” bie më fort tek ata që kanë më pak mundësi për ta paguar atë, dhe është gjithnjë e padukshme.
Gjetja e tretë lidhet me mungesën e efikasitetit të reformave anti-korrupsion. “Shqipëria ka ngritur një arkitekturë të fuqishme kundër korrupsionit, por është shumë më ndëshkuese se sa parandaluese. Ndërkohë që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka krijuar precedentë pozitivë në hetimin e korrupsionit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, vënia në zbatim e kësaj arkitekture si e tërë zbulon një sërë dobësish që hasen në sportelet e përballjes së qytetarëve me administratën publike– dhe besimi publik vazhdon të bjerë në vend që të ngrihet”, shkruajnë hartuesit e dokumentit të pozicionit. Të intervistuarit shprehen se institucionet mund të punonin më mirë nëse procedurat do të ishin më të qarta dhe zyrtarët do të jepnin llogari, pa nevojën e adoptimit të një strategjie tjetër.
Gjetja e katërt evidenton formalitetin e angazhimit të qytetarëve në betejën anti-korrupsion. Nga intervistat ka rezultuar se pjesëmarrja publike është shumë shpesh proceduriale dhe e veshur me një mantel formaliteti. “Parandalimi i korrupsionit do të dështojë nëse qytetarëve, veçanërisht atyre nga komunitetet vulnerabël, nuk u jepen kanale reale dhe të mbrojtura për t’u dëgjuar”, shkruhet në raport. Në këto rrethana i vetmja qasje që mbetet për një qytetar të zakonshëm është tërheqja ose mosangazhimi, gjetja e një ndërmjetësi, përshtatja ndaj normës informale, ose thjesht heqja dorë nga të priturit e trajtimit të drejtë.
Në këto rrethana, rrjeti antikorrupsion u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të kalojnë nga një përqasje ndëshkuese tek një përqasje parandaluese dhe sistemike ndaj korrupsionit në Shqipëri, të forcojnë mbrojtjen për qytetarët dhe grupeve vulnerabël, si dhe të përforcojnë llogaridhënien dhe transparencën në të gjitha nivelet e administratës publike.
