Spartaku i Moskës u përball me Zenitin më 23 gusht. Sfida u fitua 2 me 0 nga Spartaku, ndërsa Daku u aktivizua në minutën e 83-të. Ishte një zgjedhje teknike e trajnerit spanjoll Juan Carlos Carcedo, që t’i jepte Dakut vetëm disa minuta në fund.

Sergei Nekrasov u pyet për Dakun, ndërsa vetë është CEO i Spartakut të Moskës. Drejtori i përgjithshëm tregoi vlerësimin e tij për transferimin që kushtoi 11 milionë euro.

“Daku do të jetë një vlerë e madhe për ekipin. Edhe Juan Carlos Carcedo e ka përmendur këtë. Në ndeshjen kundër Zenitit, plani i lojës ishte i tillë që Mirlindi nuk pati shumë minuta në dispozicion. Por ai do ta tregojë veten, për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Daku është një pjesë e rëndësishme e ekipit dhe skuadra e ka pritur shumë mirë. Pas ndeshjes së fundit, ai tha se ndihej sikur kishte luajtur së bashku me Manfred Ugalden prej tre apo katër vitesh”, u shpreh Nekrasov.

Sfida e radhës është rezervuar më 30 gusht. Përballë do të jetë Orenburgu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb