Një burrë është arrestuar në Uashington pasi policia zbuloi një gijotinë në përmasa reale në pjesën e pasme të kamionçinës së tij, pranë Kapitolit dhe Gjykatës së Lartë të SHBA-së.
Sipas Policia e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, automjeti u vu re mbrëmjen e kaluar, pasi ishte parkuar në mënyrë të paligjshme në zonën pranë institucioneve kryesore të pushtetit amerikan. I arrestuari është identifikuar si Philan-Tam-Dewey Lee, nga Julian, Kaliforni. Autoritetet bëjnë të ditur se ai akuzohet për transportimin dhe mbajtjen e një arme të rrezikshme, konkretisht një gijotinë.
Sipas policisë, Lee kishte udhëtuar me automjet nga Kalifornia drejt kryeqytetit amerikan. Hetuesit kanë nisur verifikimin e të kaluarës së tij, në përpjekje për të përcaktuar arsyen dhe qëllimin e pranisë së tij në Uashington, si dhe nëse gijotina lidhet me ndonjë kërcënim të mundshëm.
Automjeti ishte parkuar pranë Kapitolit të SHBA-së dhe Gjykatës së Lartë, të cilat aktualisht janë të mbyllura. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur deri tani nëse i arrestuari kishte planifikuar ndonjë veprim ndaj institucioneve apo personave dhe hetimi vijon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
