Zbardhen detaje të reja tronditëse nga vrasja e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço në rajonin e Rodopit, ku bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç, nga Gramshi, dyshohet se e goditi për vdekje me thikë brenda banesës së tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së mërkurës, më 26 gusht, në vendbanimin Dialambi. Sipas informacioneve, viktima u sulmua në qafë me thikë, ndërsa në banesë ndodhej edhe vajza e çiftit, 16 vjeçe, e cila pa skenën tragjike.

Pas sulmit, djali 19-vjeçar i familjes e transportoi nënën e tij me urgjencë drejt Spitalit të Komotinit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 44-vjeçarja u shpall e vdekur. Në vendngjarje janë sekuestruar dy thika, ndërsa autori i dyshuar, pas krimit, tentoi t’i japë fund jetës. Ai u transportua në të njëjtin spital pasi kishte gëlltitur një sasi të panjohur lëngu, që dyshohet se mund të ketë qenë pesticid ose vaj, si dhe kishte shkaktuar plagë sipërfaqësore në bark me thikë.

53-vjeçari ndodhet aktualisht i shtruar në spital, nën mbikëqyrjen e policisë. Sipas informacioneve, gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën.

Viktima kishte vendosur të divorcohej

Një nga detajet më tronditëse të zbardhura pas ngjarjes është se Esma Meço kishte vendosur të kërkonte divorcin. Avokatja e saj, Evangelia Kola, ka treguar se viktima e kishte kontaktuar vetëm një ditë para vrasjes për të vijuar procedurat e divorcit. Takimi mes tyre ishte planifikuar për të enjten, por 44-vjeçarja nuk arriti ta ndërmarrë këtë hap.

Avokatja ka deklaruar gjithashtu se gruaja kishte përjetuar dhunë në familje prej vitesh dhe se kishte raportuar më herët incidente të dhunshme, përfshirë një rast në Kretë në vitin 2022 dhe një tjetër në Komotini. Sipas saj, bashkëshorti merrte ilaçe dhe në një moment kishte qëndruar edhe në një klinikë psikiatrike, por më pas ishte konsideruar se mund të vijonte trajtimin jashtë spitalit.

Hetuesit dyshojnë se xhelozia dhe vendimi i viktimës për t’u divorcuar mund të kenë qenë ndër faktorët që çuan në konfliktin fatal. Avokatja e 44-vjeçares e ka cilësuar ngjarjen si femicid, duke theksuar se dhuna dhe xhelozia kishin qenë të pranishme prej kohësh në marrëdhënien e çiftit. Esma punonte sezonalisht në një njësi hoteliere në Thassos dhe ishte kthyer në shtëpi për të qëndruar me vajzën e saj 16-vjeçare, e cila kishte ditëlindjen pikërisht më 26 gusht.

Tashmë, dy fëmijët e viktimës, 16 dhe 19 vjeç, përballen me një tragjedi të rëndë familjare. Ndaj 53-vjeçarit është ngritur procedim nga autoritetet greke për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e krimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: