FIA ka publikuar rezultatet e vlerësimit më të fundit të sistemit “Additional Upgrades and Opportunities” (ADUO) për njësitë e fuqisë në Formula 1, me Red Bull-Ford që vazhdon të konsiderohet si pikë referimi. Sipas analizës së federatës, e cila përfshin të gjitha garat nga Çmimi i Madh i Australisë, që hapi sezonin, deri në Çmimin e Madh të Hungarisë, motori me djegie të brendshme i Red Bull-Ford është aktualisht më i fuqishmi në Formula 1.
Mercedes rezulton 2-4% pas Red Bull-Ford për sa i përket fuqisë, ndërsa Audi, Ferrari dhe Honda janë më shumë se 4% pas. Njësia e re e fuqisë së prodhuesit japonez, e prezantuar në Çmimin e Madh të Holandës, nuk është marrë në konsideratë në këtë vlerësim. Pas çerekut të parë të sezonit, Mercedesit iu akordua një homologim shtesë për vitin 2026 dhe një tjetër për vitin 2027. Ndërkohë, Audi, Ferrari dhe Honda morën nga dy homologime shtesë për secilin prej këtyre viteve.
Këto përfitime përfshijnë rritje të lejuar të kufirit të kostove, si dhe mundësi për kryerjen e testeve shtesë në stendat dinamometrike. Megjithatë, deri tani nuk ishte bërë asnjë njoftim zyrtar për këtë çështje. Ndërsa FIA konfirmoi dje renditjen e ADUO-s, këtë herë nuk është akorduar asnjë homologim shtesë. “FIA ka kryer një analizë të plotë dhe shteruese në kuadër të procesit tonë të vlerësimit ADUO”, deklaroi Nikolas Tombazis, drejtori i FIA-s për njëvendëshet.
“Me publikimin e rezultateve të periudhës së dytë, jemi të bindur se, bazuar në cilësinë e të dhënave, analiza jonë është jashtëzakonisht solide dhe na jep një nivel të lartë besueshmërie në përfundimet tona. Gjithashtu, duhet të respektojmë konfidencialitetin dhe pronësinë intelektuale të skuadrave dhe prodhuesve të njësive të fuqisë kur bëhet fjalë për publikimin e detajeve të rezultateve”, deklaroi Tompazis, i cili më tej shtoi:
“Ky është viti i parë i ADUO-s, ndaj natyrisht që ka fusha të cilat mund t’i zhvillojmë dhe përmirësojmë me kalimin e kohës, në konsultim me të gjithë prodhuesit e njësive të fuqisë”. Sistemi ADUO është kritikuar vazhdimisht, ndërsa një nga problemet e tij më të dukshme është fakti se merr në konsideratë vetëm motorin me djegie të brendshme.
Ky komponent, megjithatë, nuk është i vetmi faktor që përcakton diferencat e performancës mes njësive hibride të fuqisë në Formula 1. Në fakt, Mercedesi, dhe jo Red Bull-Ford, është konsideruar gjerësisht si prodhuesi me njësinë e fuqisë më të fortë. Këtë e ka pranuar edhe shefi i Mercedesit, Toto Volf, ndonëse komentet e tij nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me vlerësimin e ADUO-s.
“E drejtë. Edhe unë mendoj se ata kanë njësinë e fuqisë më të fuqishme”, deklaroi Mekies, drejtori i ekipit të Red Bull, pas Çmimit të Madh të Belgjikës. Me Red Bull-Ford që vazhdon të kryesojë renditjen për fuqinë e motorit, sistemi ADUO pritet të jetë sërish në qendër të debatit gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Italisë, që do të zhvillohet një javë më vonë.
