U hap një kapitull i ri. Partia Demokratike ka tejkaluar një nga periudhat më të vështira të historisë së saj. U përballëm me një sulm të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë, që synoi jo vetëm dobësimin e Partisë Demokratike, por në thelb goditjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Demokratët qëndruan. Qëndruan kur gjithçka dukej kundër tyre. Rezistuan, mbijetuan, u ribashkuan dhe treguan se një parti nuk mbahet gjallë vetëm nga strukturat e saj, por nga njerëzit që besojnë tek ajo. Rithemelimi ishte një nga ushtrimet më mbresëlënëse të vullnetit të anëtarësisë, të rikthimit te vlerat konservatore, të vendosjes së meritokracisë dhe të mbrojtjes së pluralizmit. Ishte një proces frymëzues që mbrojti Partinë më të madhe të se djathtës nga asgjësimi.

Por mbijetesa nuk mjafton më. Tani ne kalojmë nga rezistenca te organizimi, nga mbijetesa te forcimi dhe nga reagimi ndaj kundërshtarit te ndërtimi i një strategjie tonën. Përgjatë kësaj vere, një grup pune i drejtuar nga kryetari i PD Berisha ka ndërtuar një strategji që ndërthur një ripozicionim të rolit të anëtarit, forcimit të rolit e veprimit të seksionit, punës së strukturave në çdo qelizë, modernizimit, digjitalizimit të Partisë.

Përballë nesh nuk kemi thjesht një parti politike. Kemi një makineri të madhe pushteti, që ndërthur administratën shtetërore, patronazhimin, propagandën, presionin, burimet shtetërore dhe interesat kriminale.

Një makineri e tillë nuk mund të përballohet vetëm duke qëndruar në mbrojtje, as vetëm me denoncime dhe as vetëm me figura apo aksione individuale. Duhet përballuar me organizim.

Strategjia e re do mobilizojë Partinë Demokratike në çdo qelizë të saj. Çdo anëtar duhet të ndihet pjesë e një organizate që komunikon me të, e informon, e dëgjon dhe i jep një rol konkret.

Teknologjia na jep sot mundësinë që informacioni të mos mbetet në majë të piramidës, por të zbresë në kohë reale deri te çdo anëtar. Anëtari do e marrë vesh informacionin, shpjegimin dhe qëndrimin politik të partisë në kohë reale, nga vetë partia dhe jo nga kundërshtari. Qëndrimet politike, argumentet, denoncimet, objektivat dhe detyrat duhet të qarkullojnë shpejt dhe në të dy drejtimet. Komunikimi duhet të jetë kapilar.

Por bashkë me informacionin duhet të vijë përgjegjësia. Çdo anëtar duhet të dijë çfarë roli ka. Çdo strukturë duhet të dijë çfarë objektivi ka. Çdo zyrtar duhet të dijë çfarë pritet prej tij. Dhe puna duhet dhe do të matet për t’i njohur gjithkujt meritën dhe përgjegjësitë.

Anëtari nuk do të jetë vetëm marrës informacioni apo zbatues detyrash; ai duhet të bëhet burim iniciative, informacioni dhe veprimi politik nga poshtë lart. Çdonjëri prej nesh do duhet ta nisë nga vetja, pa u marrë me tjetrin, por duke u fokusuar te ajo çka secili prej nesh mund të bëjë dhe te vlera e shtuar që sjell.

Ripërtëritja nuk është ndërrim emrash. Është një mënyrë e re te vepruari bazuar te parimet tona. Ne do tregojmë që dimë si qeveriset Shqipëria, duke qeverisur veten tonë.

Ky është një hap më tej për të ndërtuar meritokraci, përgjegjshmëri dhe konkurrencë të shëndetshme. Ata që punojnë duhet të dallohen. Ata që marrin përgjegjësi duhet të vlerësohen. Funksioni politik nuk mund të jetë thjesht një titull, por duhet të lidhet me rezultat.

Edhe objektivat elektorale duhet të trajtohen ndryshe. Jo me analiza të përgjithshme dhe reagime të momentit, por me një punë kirurgjikale: zonë pas zone, qendër votimi pas qendre votimi, kategori pas kategorie, problem pas problemi.

Duhet të dimë ku jemi të fortë, ku jemi të dobët, kë duhet të bindim, çfarë shqetësimesh kanë qytetarët dhe kush mban përgjegjësi për çdo objektiv. Qytetarët duhet të dinë se nuk janë vetëm, fusha nuk është bosh.Përballë presionit e patronazhimit, ata kanë në krah anëtarin e çdo funksionar të PD.

Kjo strategji synon kapilaritetin, vendosjen në lëvizje të gjithkujt në çdo strukturë të PD, me përgjegjësi të qarta, të ndara, me kërkesë llogarie dhe me meritokracinë në qendër.

Qëllimi nuk është që Partia Demokratike të flasë më shumë me veten, por që çdo qelizë e saj të bëhet një urë me shoqërinë, me qytetarin që sot ndihet i pambrojtur, i papërfaqësuar apo i dorëzuar.

Kjo kërkon kombinimin e tri forcave: punës në terren me objektiva të qarta e të realizueshme, forcës së ekipit qendror dhe lokal dhe alternativës politike.

Terreni pa alternativë prodhon vetëm mobilizim. Alternativa pa terren mbetet në letër. Individët pa ekip që ngjall besim e shpresë nuk mund të përballojnë një sistem. Kur të tria bashkohen, partia kthehet në një organizëm që mendon, komunikon dhe vepron njëkohësisht në të gjithë territorin.

Demokratët e kanë kaluar provën e qëndresës. Ata kanë treguar se nuk mund të zhduken me presion, as të shpërbëhen me propagandë dhe as të zëvendësohen artificialisht.

Tani vjen prova tjetër: të transformojmë këtë qëndresë në forcë politike të organizuar. Nga një parti që mbijetoi goditjen, në një parti që merr iniciativën. Nga një parti që reagon ndaj makinerisë së pushtetit, në një parti që ndërton makinerinë e saj demokratike të organizimit, komunikimit dhe alternativës. Nga mijëra demokratë që kanë qëndruar për vite me radhë, në mijëra demokratë që e dinë saktësisht rolin e tyre në ndryshimin që duhet të vijë. Kështu shndërrohemi në një makineri të vërtet, ku çdo element ka një detyrë e një përgjegjësi, dhe vepron në harmoni me elementët e tjerë. Këtë mund ta bëjmë vetëm të gjithë së bashku.

Në fund organizimi nuk është qëllim në vetvete. Ne organizohemi për t’u përballur më fort me këtë diktaturë autoritare, për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të besueshme qeverisëse, një ekip dhe një projekt që ngjallin besim se Shqipëria mund të bëhet ndryshe. Dhe do ta bëjmë ndryshe së bashku.

Ky është kapitulli i ri. Partia Demokratike është e fortë, e bashkuar, me marrëdhënie të ringritura e të forta me partnerët tanë ndërkombëtare dhe e hapur për këdo që do të bashkohet në një front për të rrëzuar këtë regjim, çrrënjosur këtë sistem oligarkik e klientelist, dhe për të ndërtuar një Republikë Dinjiteti. Ne po e fillojmë ndryshimin, forcimin e ripërtëritjen nga vetja, për ta çuar më pas në çdo qelizë të shoqërisë.

*Nënkryetar i PD

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: