Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas njoftimit se në malin e fshatit Vajkal, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë, kishte rënë zjarr, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për përcaktimin e rrethanave dhe zbardhjen e autorësisë së zjarrvënies.

Nga veprimet hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal, ndaj të cilit u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari, u dërgua në Spitalin Psikiatrik Shkodër për trajtim të specializuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve, barishteve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb