Qyteti i Kremonës në Itali po përballet me pasojat e një stuhie të fuqishme me breshër, e cila goditi zonën pasditen e djeshme dhe brenda vetëm 10 minutash shkaktoi dëme të mëdha materiale.
Mbi 40 persona u plagosën, por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të rëndë.
Në total, 43 persona u trajtuan në urgjencën e spitalit të Kremonës për pasojat e motit të keq. Shumica e tyre janë larguar nga spitali, një person mbeti nën vëzhgim, ndërsa katër pacientë me trauma u shtruan për trajtim.
Sipas mjekëve, dëmtimet kryesore kanë qenë trauma të shkaktuara nga rrëzimet ose nga përpjekjet për t’u mbrojtur nga breshëri, kryesisht në kokë dhe në duar.
Në katër raste u konstatuan fraktura të femurit. Stuhia shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa. Dhjetëra shtëpi dhe pallate kanë mbetur pa çati, ndërsa të paktën tetë familje janë evakuar nga banesat e tyre.
Stabiliteti i disa ndërtesave të tjera duhet ende të verifikohet. Të paktën 10 kisha janë dëmtuar, mes tyre edhe Katedralja e Kremonës.
Qendra historike e qytetit është goditur rëndë, ndërsa mijëra pemë janë rrëzuar dhe rrugët janë mbushur me çati, tjegulla dhe gurë.
Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në automjete, me të paktën 10 mijë makina të dëmtuara nga breshëri.
Një nga zonat më të prekura është edhe panairi i Kremonës, ku tre nga katër pavijonet kanë pësuar dëmtime.
