Një artist gjerman ka sjellë një projekt të pazakontë që synon të sfidojë mënyrën se si sistemet e inteligjencës artificiale identifikojnë njerëzit përmes kamerave.
Simon Weckert ka prezantuar “Digital Camouflage”, një bluzë shumëngjyrëshe në stilin havaian, me një model të krijuar posaçërisht për të ndërhyrë në mënyrën se si funksionojnë sistemet e shikimit kompjuterik.
Për syrin e njeriut, bluza duket thjesht si një veshje me ngjyra të forta. Por modelet e inteligjencës artificiale, të përdorura për njohjen e objekteve dhe njerëzve, analizojnë elemente të ndryshme vizuale, përfshirë konturet e kokës dhe shpatullave, përmasat e trupit dhe siluetën.
Sipas projektit, modeli i vendosur në bluzë synon të prishë këto sinjale vizuale. Në disa teste, sistemet e njohjes nuk kanë arritur ta identifikojnë personin që e mbante veshur si një person.
Megjithatë, Weckert nuk pretendon se bluza e bën një njeri “të padukshëm” për kamerat. Projekti synon kryesisht të tregojë dobësitë dhe kufizimet e teknologjive të mbikëqyrjes të bazuara në inteligjencën artificiale.
