Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka dënuar ashpër sulmet ruse të kryera në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Ukrainë, duke i cilësuar përpjekjet për të goditur civilët dhe për të prishur nisjen e shkollës si “të përbuzshme”.

“Rusët janë thjesht të përbuzshëm”, u shpreh Zelenskyy, duke reaguar ndaj sulmeve masive gjatë natës, të cilat shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha në Kiev dhe në rajone të tjera të Ukrainës.

“Edhe midis çdo armiku, ekziston një mirëkuptim se fëmijët janë fëmijë”, tha presidenti ukrainas, duke theksuar se sulmet në një ditë kaq të rëndësishme për fëmijët dhe familjet ukrainase janë veçanërisht të rënda.

Në rajonin e Kievit, Zelensky vizitoi një shkollë të rindërtuar, e cila ishte shkatërruar nga forcat ruse gjatë pushtimit në vitin 2022. Rindërtimi i saj është kthyer në një simbol të përpjekjeve të Ukrainës për të vijuar jetën normale pavarësisht luftës.

Megjithatë, nisja e vitit të ri shkollor u shoqërua me pasoja të rënda. Gjatë natës, një sulm masiv rus goditi Kievin dhe disa rajone të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar vrasjen dhe plagosjen e dhjetëra civilëve, si dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Zelensky e ka përdorur ngjarjen për të nënvizuar edhe një herë pasojat e luftës mbi popullsinë civile, veçanërisht mbi fëmijët, ndërsa Ukraina vijon të përballet me sulme ruse në qytete dhe zona të banuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb