Futbolli italian feston yjet e tij në një prej skenave më prestigjioze të kulturës, Teatrin alla Scala në Milano. Në Gran Galà del Calcio, Interi dominon ceremoninë, pas një sezoni të suksesshëm ku zikaltërit fituan kampionatin dhe Kupën e Italisë.
Çmimi i madh për lojtarin më të mirë të Serie A i shkon Federico Dimarcos, protagonist me gola dhe asiste. Mbrojtësi i Interit e cilësoi këtë vlerësim si të veçantë, duke kujtuar edhe vështirësitë që ka kaluar gjatë karrierës.
Interi shpallet gjithashtu klubi më i mirë i sezonit. Administratori i deleguar, Beppe Marotta, vendos në fokus objektivin e radhës: Champions League. “Ne kemi detyrimin të japim maksimumin dhe të drejtën për të ëndërruar”, u shpreh Marotta.
Por mbrëmja rezervon hapësirë edhe për surprizën e sezonit, Comon. Cesc Fàbregas shpallet trajneri më i mirë, pas një sezoni mbresëlënës me skuadrën lombarde. Ndërkohë, Nico Paz merr çmimin e lojtarit të ri më të mirë të Serie A.
Formacioni ideal i sezonit dominohet nga lojtarët e Interit. Në mbrojtje janë Dimarco, Bastoni dhe Akanji, ndërsa në mesfushë spikasin Çalhanoğlu, McTominay dhe Modrić. Në sulm, treshja përbëhet nga Lautaro Martínez, Nico Paz dhe Donyell Malen.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte ai i Scott McTominay, i cili foli për gjendjen e tij pas problemit me aritminë, duke siguruar se synon të rikthehet sa më shpejt në fushë.
Një natë e madhe për futbollin italian, por mbi të gjitha një mbrëmje zikaltër, ku Interi dhe protagonistët e tij morën pjesën më të madhe të vëmendjes dhe çmimeve.
