Himara përjetoi çaste tmerri mbrëmjen e së shtunës, ku një zjarr masiv shpërtheu në kodrën e qytetit, mbi lagjen “1 Maji”, duke marrë përmasa apokaliptike. Flakët u përhapën deri në pjesën e poshtme të qytetit, ku raportohet se u dogjën 7 banesa, për rrjedhojë Bashkia Himarë dha urdhër të menjëhershëm evakuimi për banorët dhe turistët e shumtë. Veç zjarrfikësve që po përpiqeshin për izolimin e flakëve, në terren shkuan edhe forca të shumta policie, të cilët u angazhuam për evakuimin e banorëve dhe turistëve, duke bërë vendosjen e tyre pranë vijës bregdetare, për të qëndruar më të sigurt.
Pavarësisht situatës së rënduar nga flakët nuk ishte e mundur ndërhyrja nga ajri me helikopter apo avion zjarrshues, pasi këto mjete emergjence nuk ngrihen natën sepse nuk ka pilotë të specializuar për këto lloj operacionesh.
Për pasojë, për izolimin e flakëve u angazhuan nga 1 automjet zjarrfikës me efektivë të Fierit, Tiranës, Peqinit, Librazhdit, Tepelenës, Himarës, Vlorës, Finiqit, Delvinës, Sarandës, Gjirokastrës e Dropullit. Në ndihmë shkuan edhe forca vullnetare, ndërsa nga spitali nuk raportohet për asnjë qytetar apo efektiv të lënduar. Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në kodrat e Himarës, ndërsa situata ngre shqetësim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve që ende vijojnë ta frekuentojnë masivisht bregdetin e saj. Operacioni për izolimin e zjarrit me helikopter ka nisur këtë mëngjes.
