Nard Ndoka, ka komentuar vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm si në aspektin politik, ashtu edhe në atë personal për liderin e opozitës.

I ftuar në emisionin “Vila24”, Ndoka tha se Berisha e kishte prej kohësh dëshirën për të rikthyer në SHBA dhe se vizita, sipas tij, i shërbeu edhe për të tejkaluar imazhin e krijuar nga shpallja “non grata”.

“Është e rëndësishme vizita e Berishës në SHBA, edhe në aspektin personal. E kishte fiksim të jetës dhe me të drejtë. Vizita e pastroi Berishën nga njolla, karta personale e tij triumfoi.
Askush nuk mund të bënte një lëvizje të tillë spektakolare politike”, u shpreh Ndoka.
Sipas tij, vizita e Berishës kishte rëndësi edhe për opozitën shqiptare, pasi statusi “non grata” kishte krijuar një pengesë për të. Ndoka vlerësoi se tashmë kjo pengesë është kapërcyer.

“Vizita ka qenë e rëndësishme edhe për opozitën, sepse ‘non grata’ e dëmtonte. Kjo është një pengesë e tejkaluar tashmë”, tha ai.

Megjithatë, Ndoka theksoi se pavarësisht zhvillimeve të fundit, Berisha nuk mund të merret si një model absolut në politikën shqiptare, duke iu referuar edhe gabimeve të bëra gjatë karrierës së tij politike.

“Berisha ka mëkatet e veta në politikën shqiptare. Nuk mund ta marrim si etalon”, deklaroi Ndoka.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2008, të cilat i cilësoi si një gabim dhe një “pazar të rëndomtë” politik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: