Matthew Brennan fitoi për herë të katërt në Vueltë e Spanjës 2026, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e Vismas në etapat e shpejta. Britaniku triumfoi në etapoën e 16-të në Palos de la Frontera pas një etape prej 181 kilometrash, e cila nisi në Cortegana dhe u zhvillua me ritëm të lartë. Pesë çiklistë, Kevin Vermaeke, Valentin Madouas, Simon Dalby, Jasha Sutterlin dhe Roland Thalmann, u shkëputën herë nga pelotoni dhe krijuan një avantazh që për disa orë shkoi deri në rreth tre minuta.
Megjithatë, tentativa e tyre nuk përbënte një kërcënim real, pasi Visma kontrolloi garën me qetësi dhe gradualisht e uli diferencën. Në krye të pelotonit u shfaq sërish Wout van Aert. Belgu, i cili kishte fituar më herët në këtë Vuelta, këtë herë luajti rolin e shërbëtorit të skuadrës, duke kontrolluar ritmin dhe duke përgatitur terrenin për sprintin e Brennan. Shkëputja u kap 22 kilometra para finishit, ndërsa një rrëzim i Oliveiras në një pjesë të ngushtë të rrugës shkaktoi ndarje në peloton dhe rriti ndjeshëm tensionin.
Ekipet e sprintierëve luftuan për pozicionet më të mira, ndërsa Enric Mas, lideri i garës, e kaloi me sukses këtë moment kritik dhe ruajti fanellën e kuqe. Në kilometrat e fundit, ritmi u rrit ndjeshëm. Ekipet kërkonin pozicionet ideale dhe pelotoni u shndërrua në një betejë të vërtetë për çdo metër. Katër kilometra para finishit, Van Aert mori kontrollin e grupit dhe e përgatiti në mënyrë perfekte sprintin e shokut të skuadrës.
Brennan priti deri në momentin e duhur dhe më pas shpërtheu me një sprint të fuqishëm, duke lënë pas të gjithë rivalët. Me këtë sukses, Brennan konfirmoi statusin e tij si një prej sprintierëve më të fortë të këtij edicioni të Vueltës, ndërsa Visma tregoi sërish forcën e saj kolektive.
Van Aert nuk fitoi etapën, por roli i tij ishte vendimtar. Ai e kontrolloi kaosin e kilometrave të fundit dhe i hapi Brennan rrugën drejt një tjetër triumfi. Ndërkohë, Enric Mas mbron fanellën e kuqe, me Felix Gall dhe Primoz Roglic ende në ndjekje. Betejat e mëdha për klasifikimin e përgjithshëm priten në ditët në vijim, por në sprintet, Visma duket se vazhdon të jetë dominuese.
