Përparimi i shpejtë i rebelëve Huthi përgjatë vijës bregdetare të Detit të Kuq po ndryshon ekuilibrat në Jemen dhe po rrit shqetësimet për sigurinë e një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë. Pas marrjes së qytetit strategjik të Muhas, forcat e lëvizjes shiite të mbështetur nga Irani janë zgjeruar drejt Ishujve Hanish, duke e vendosur në rrezik Ngushticën Bab el-Mandeb, një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare.
Zhvendosja e luftimeve nga frontet veriore drejt bregdetit perëndimor ka ngritur frikën për ndërprerje të reja të lundrimit në Detin e Kuq dhe pasoja të mundshme për furnizimet globale. Kreu i Këshillit Presidencial të Jemenit, Rashad al-Alimi, gjatë një takimi me ambasadorin egjiptian, theksoi se rikthimi i kontrollit shtetëror mbi brigjet, portet dhe ujërat territoriale është një çështje që prek drejtpërdrejt Egjiptin, shtetet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar.
Beteja për Bab el-Mandeb
Sulmet e rebelëve Huthi në Ishujt Hanish kanë detyruar trupat qeveritare dhe aleatët e tyre të tërhiqen më në jug, drejt Dubabit. Pozicioni është strategjik, pasi ndodhet përballë ishullit Perim. Së bashku, këto pika konsiderohen vendimtare për kontrollin efektiv të kalimit të Bab el-Mandeb, një prej nyjeve më të rëndësishme të transportit detar global.
Ndërkohë, udhëheqja Huthi po përpiqet të qetësojë shqetësimet e kompanive ndërkombëtare të transportit. Zëdhënësi i lëvizjes, Mohammed Abdusalam, deklaroi në platformën X se transporti detar dhe tregtia në rajon mbeten të sigurta. Sipas tij, operacionet e Huthive janë të kufizuara në objektiva specifike dhe do të ndalen vetëm nëse përfundon sulmi ndaj Jemenit.
Qendra e Koordinimit të Operacioneve Humanitare të rebelëve deklaroi gjithashtu se ujërat e Detit të Kuq mbeten të hapura për kompanitë e transportit detar, me përjashtim të anijeve që kanë interesa saudite.
Arabia Saudite kundërpërgjigjet
Përgjigjja e Arabisë Saudite ka qenë e menjëhershme. Sipas kanalit televiziv Almasirah, që është i afërt me Huthit, forcat ajrore saudite kanë kryer dhjetë sulme në provincën e Taizit, në perëndim të Jemenit.
Përshkallëzimi i përplasjes mes forcave të mbështetura nga Arabia Saudite dhe rebelëve Huthi rrezikon të hapë një front të ri në rajon, në një kohë kur tensionet me Iranin mbeten të larta.
Kontrolli mbi bregdetin e Jemenit dhe veçanërisht mbi zonën e Bab el-Mandeb mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm për konfliktin në Jemen, por edhe për sigurinë e transportit detar dhe furnizimet globale me energji.
