Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar takime me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku ka kërkuar intensifikimin e punës për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e personave që lëvizin me armë apo drogë, si dhe arrestimin e shtetasve në kërkim.

Në fokus të takimeve ka qenë fillimisht siguria e nxënësve në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Hita ka kërkuar që drejtuesit e strukturave vendore të monitorojnë personalisht zbatimin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë së shkollave dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Gjithashtu, është kërkuar intensifikimi i kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim evidentimin dhe goditjen e personave që mund të nxisin nxënësit në veprimtari kriminale.

Gjatë takimeve, Hita ka kërkuar nga strukturat vendore dhe kufitare forcimin e luftës kundër krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, narkotikëve dhe grupeve kriminale. Po ashtu, ai ka kërkuar hetime proaktive për goditjen e krimeve kufitare dhe trafiqeve.

Një tjetër prioritet i ngritur ka qenë përmirësimi i performancës së Policisë dhe komunikimi me qytetarët, ndërsa është kërkuar edhe rritja e sigurisë rrugore dhe përdorimi më efektiv i teknologjisë për parandalimin e aksidenteve.

Në fund, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka theksuar rëndësinë e rritjes së besimit të qytetarëve te Policia. Sipas tij, ky besim mund të forcohet përmes intensifikimit të punës, angazhimit dhe përdorimit të burimeve njerëzore për adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të qytetarëve që i drejtohen Policisë përmes platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb