Një baba është arrestuar në Perth të Australisë, pasi një video e publikuar në rrjetet sociale tregoi momentin kur ai i jepte timonin djalit të tij vetëm 3 vjeç, ndërsa automjeti lëvizte në një zonë të banuar.
Në pamjet e rënda, fëmija shihet i ulur në prehrin e babait, me duart mbi timon, ndërsa ky i fundit e nxit të vazhdojë drejtimin e makinës. Gjatë videos, burri dëgjohet duke i dhënë vazhdimisht udhëzime të voglit, ndërsa i kërkon të mos përplaset. “Shko drejt, drejt. Në trotuar, në trotuar”, dëgjohet ai duke i thënë fëmijës, ndërsa automjeti vazhdon të lëvizë. Në fund, makina ndalon pasi arrin në një shteg dhe babai dëgjohet të thotë: “Ia dolëm”.
Videoja shkaktoi reagime të forta dhe autoritetet australiane ndërhynë pas publikimit të saj. Policia e arrestoi babanë të shtunën, ndërsa ai pritet të dalë përpara gjykatës më 2 tetor. Autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si “thellësisht shqetësuese”, duke vënë në dukje rrezikun ekstrem që i është shkaktuar fëmijës. Edhe ministri i Australisë Perëndimore, Matthew Swinburne, reagoi ashpër pasi pa pamjet. Ai tha se ishte i zemëruar dhe se veprimi duhet të ndëshkohet në mënyrën më të ashpër të mundshme.
“Nuk ka mbrojtje”, deklaroi Swinburne, duke theksuar se një aksident i mundshëm mund ta kishte lënë fëmijën të vdekur ose me dëmtime të përhershme. Ai e cilësoi sjelljen si të papërgjegjshme, veçanërisht në një kohë kur autoritetet australiane po përpiqen të ulin numrin e viktimave në rrugë.
