Ministria e Jashtme e Austrisë ka konfirmuar se faqja e saj zyrtare është sulmuar nga hakerat javën e kaluar, duke bërë të mundur aksesimin e të dhënave që përmbanin emrat dhe kontaktet e punonjësve të institucionit, përfshirë edhe personelin në ambasadat dhe misionet diplomatike jashtë vendit.
Në një deklaratë të publikuar të premten, ministria bëri të ditur se ndërhyrja e paautorizuar ndodhi gjatë periudhës 12-13 nëntor, në një kohë kur në shkallë globale po raportohej një ndërprerje e shërbimeve të Microsoft. Faqja e institucionit administrohet nga një kompani e jashtme.
Sipas autoriteteve austriake, sulmi u zbulua më 13 nëntor dhe u ndërpre menjëherë. Një hetim i kryer nga një grup ekspertësh konfirmoi se gjatë ndërhyrjes ishin parë të dhëna që përmbanin emrat dhe informacionet e kontaktit të punonjësve në selinë qendrore të ministrisë, si dhe të personelit diplomatik në përfaqësitë austriake jashtë vendit.
Megjithatë, Vjena nuk ka bërë të ditur se kush dyshohet të jetë përgjegjës për sulmin dhe as nëse pas tij qëndron ndonjë shtet apo grup i organizuar hakerash.
Një nga vendet me të cilat Austria ka pasur marrëdhënie të tensionuara vitet e fundit është Rusia. Megjithëse Austria ruan neutralitetin ushtarak, politikisht ajo ka mbështetur Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022.
Në korrik të këtij viti, Austria akuzoi Rusinë për një tjetër sulm kibernetik ndaj Ministrisë së Jashtme, të ndodhur në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020. Në atë kohë, Vjena, së bashku me tetë vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian, dënoi aktivitetet kibernetike që ia atribuoi Moskës. Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat e vendeve perëndimore për sulme të tilla.
Përplasjet mes dy vendeve janë shoqëruar edhe me masa diplomatike. Austria ka dëbuar në të kaluarën disa diplomatë rusë, për shkak të aktiviteteve të konsideruara të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik, një formulim që përdoret zakonisht në rastet e dyshimeve për spiunazh.
Vetëm muajin e kaluar, Vjena dëboi katër diplomatë rusë, duke e çuar në 18 numrin e shtetasve rusë të shpallur persona non grata nga viti 2020 e deri më sot.
Moska paralajmëroi në atë kohë se do të kishte një përgjigje të përshtatshme. Katër ditë më vonë, Austria njoftoi se Rusia kishte dëbuar një delegat tregtar që punonte në ambasadën austriake në Moskë.
