Fatmira Nikolli
Autoriteti i Dosjeve dhe studiues nga Shqipëria e Kosova kanë mbajtur një konferencë me temë, “Një popull në dy anët e kufirit: viktimat dhe familjet e ndara nga dy regjime komuniste” ku u trajtuan “Kalimi i kufirit Shqipëri–Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944–1991”. Në fjalën e mbajtur, kryetarja e autoritetit, Gentiana Sula, foli për raste kolektive e personale. Duke sjellë historinë e gjyshes së saj, Refikës, dhe motrës së saj të martuar në Pejë, të cilat, megjithëse të afërta gjeografikisht, u takuan vetëm një herë në disa dekada, Sula solli përvojën e shumë familjeve shqiptare për të cilat kufiri e ktheu takimin familjar në privilegj dhe udhëtimin në objekt dyshimi. “Dhuna e kufirit matet edhe me takimet që nuk ndodhën, familjet që u ndanë dhe njerëzit që, për dekada, pritën dikë të vinte nga ana tjetër”, nënvizoi Kryetarja e AIDSSH-së.
Dy shtetet nuk ishin në luftë, por për njeriun që tentonte të kalonte kufirin, ajo vijë funksiononte si front lufte, duke shënuar të vrarë, të plagosur, të burgosur, të internuar e të zhdukur. Nga Kosova, perceptimi e pasojat ishin po aq të rënda. Prof. Dr. Naim Berisha, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik të Prishtinës, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Tiranës dhe Prishtinës dhe nevojën për thellimin e tij përmes kërkimit të përbashkët. Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e studimit të kufirit Shqipëri–Kosovë, jo vetëm si vijë politike dhe territoriale, por si një hapësirë që ndikoi drejtpërdrejt në jetën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve në të dyja anët.
Çështja e kufirit u trajtua në disa prizme, si mekanizëm politik, ideologjik dhe biopolitik e deri te individët ndërmjet dy regjimeve, që vë në qendër përndjekjen e albanologut Selman Riza dhe ish të burgosurit politik Nestor Topençarov dhe kujtesa e banorëve të zonave kufitare.
