Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Meta e ka cilësuar këtë një “ditë shumë të trishtuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”. Në reagimin e tij, ai e përshkruan luftën e Kosovës për çlirim si një luftë që meriton piedestalin e krenarisë patriotike dhe jo ndëshkime penale. Meta ka kundërshtuar veçanërisht dënimin e Jakup Krasniqit, duke e cilësuar vendimin ndaj tij si absurd dhe politik.

Ai shprehet se nuk ka kuptim që Jakup Krasniqi të marrë një dënim prej 25 vitesh, njësoj sa kasapi i Ballkanit, Ratko Mlladiç.

Ish-presidenti deklaron se roli i drejtuesve të UÇK-së dhe pavarësia e Kosovës janë pjesë e një historie që nuk mund të zhbëhen nga vendime gjyqësore.

Postimi i ish-presidentit Ilir Meta

Ditë shumë e trishtuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Lufta e shkëlqyer e Kosovës për çlirim, meriton vetëm piedestalin e krenarisë patriotike dhe jo bankën e akuzës dhe dënime absurde, qartazi politike.

Dënimi realisht me burgim të përjetshëm i mësuesit dhe intelektualit, Jakup Krasniqit, me moshë 75-vjecare dhe me probleme të rënda shëndetësore, që ka përdorur gjithmonë vetëm penën dhe fjalën, po aq sa kasapi i Ballkanit, Mlladiç është dëshmia më e rëndë e absurditetit të këtij vendimi politik të dhënë gjoja në emër të popullit të Kosovës.

Vendin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka vendosur përjetësisht historia.

Pavarsinë e Kosovës, të njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka gjykatë, që e ndryshon dhe e zhbën dot kurrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: