Fatmira Nikolli
Evropa ia dorëzoi planet e saj dhe mbrojtjen SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore. 7 dekada më pas, ka kuptuar se ky ishte gabim.
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, në shkollën e Magjistraturës, u shfaq filmi “Mbrojtja e Evropës”, ku regjisori Olivier Toscer, përmes intervistave me ministra e ish ministra të vendeve të BE-së hedh dritë mbi planet e Evropës për riarmatim.
“Synimi i filmit është të tregojë se pse Evropa, ka neglizhuar mbrojtjen për një kohë të gjatë dhe është e paarmatosur. Kuptimi i luftës u zhduk 30 vjet më parë, dhe tani po kthehet, për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe kërcënimeve të Rusisë. E megjithatë, ende ka neglizhencë. Evropa bëri gabim që i dorëzoi mbrojtjen SHBA-së, tani po kuptojmë këtë gabim, ndërsa shohim nuk është e lehtë që buxheti që shkonte për çështje sociale të shkojë për armë”, tha Olivier Toscer.
Për drejtorin e Shkollës se Magjistraturës, Arben Rakipi, filmat mbi të drejtat e njeriut, kanë rëndësi për gjyqësorin shqiptar.
Drejtori i ekzekutiv i Festivalit, Kujtim Çashku, ndërsa foli para studentëve, u ndal te vendimi i Hagës për ish drejtuesit e UÇK-së dhe rolin e artit.
Festivali i organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, nën temën “Lufta, vendosja e paqes, shteti i se drejtës dhe përkujtimi i viktimave”, shfaq filma që prekin çështje të ndryshme të të drejtave.
