Vdekja e papritur e influencueses braziliane Maria Eduarda Alves dos Santos, e njohur në rrjetet sociale si Duda Alves, ka shkaktuar trishtim te qindra mijëra ndjekësit e saj. 22-vjeçarja, e cila kishte grumbulluar më shumë se 750 mijë ndjekës në TikTok, ishte e njohur për videot me humor, historitë personale dhe momentet nga jeta e përditshme. Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga familjarët dhe miqtë përmes rrjeteve sociale. Ndërkohë, autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes, duke shqyrtuar edhe mundësinë e vetëvrasjes.

Vetëm disa javë para vdekjes, Duda Alves kishte folur publikisht për vendimin e saj për t’iu nënshtruar një mastopeksie, ndërhyrje kirurgjikale për ngritjen dhe riformësimin e gjoksit. 22-vjeçarja kishte shpjeguar se vendimi ishte marrë për arsye estetike, por edhe për shkak të shqetësimeve fizike. Ajo kishte treguar se, për shkak të gjatësisë së saj, e ndiente gjoksin në disproporcion me trupin dhe se kjo i shkaktonte dhimbje shpine. “Hoqa rreth gjysmën e asaj që kisha. Ishte më shumë një çështje estetike, doja të isha në gjendje të vishja rroba pa sytjena, doja më shumë liri”, kishte deklaruar ajo, teksa dokumentonte në rrjetet sociale procesin e ndërhyrjes.

Pas operacionit, influencuesja kishte folur edhe për komentet që kishte marrë nga ndjekësit meshkuj. Ndërkohë, miqtë dhe familjarët e saj kanë ndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale. Mikesha e saj, Sarah Mahdavi, e përshkroi Dudën si shumë më tepër se një shoqe, duke kërkuar respekt për familjen në këtë periudhë zie. “Duda, përveçse shoqja ime më e mirë, ishte familja ime, dashuria ime dhe shumë më tepër sesa mund ta imagjinoj ndonjëherë”, shkroi ajo.

Kushërira e saj, 19-vjeçarja Giovanna Alves, tha se kishte pasur privilegjin ta njihte Dudën për 19 vite. Ndërsa shoqja e saj Clarissa Pavie kujtoi humorin dhe autenticitetin e saj. Funerali i 22-vjeçares u zhvillua të martën në një kishë në São Paulo. Gjatë ceremonisë, babai i saj falënderoi të gjithë ata që qëndruan pranë familjes dhe shprehën dashurinë e tyre për influencuesen e re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb