Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar një shkollë publike në Bronx të New Yorkut, ku nxënësit shqiptarë ndjekin mësimin në një program dygjuhësh, anglisht dhe shqip.

Bëhet fjalë për P.S. 108 Philip J. Abinanti, ku programi i mësimit në të dyja gjuhët nisi për herë të parë në shtator të vitit të kaluar. Gjatë vizitës, Kurti e vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.

Në një postim në Facebook, ai theksoi se modele të tilla duhet të shtrihen edhe në komunitete të tjera shqiptare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi ta mësojnë gjuhën e prindërve edhe brenda sistemit shkollor.

Kurti u shpreh se për brezat e rinj shqiptarë në mërgatë, shqipja nuk duhet të kufizohet vetëm në përdorimin familjar, por të jetë pjesë edhe e procesit të rregullt arsimor.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Kosovës kujtoi përpjekjet historike për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke përmendur arbëreshët e Italisë, Rilindjen Kombëtare dhe Kongresin e Manastirit. Ai veçoi edhe kontributin e Fan Nolit dhe shqiptarëve në diasporë në përhapjen e dijes dhe kulturës shqiptare.

Kurti theksoi se ruajtja e gjuhës është e lidhur ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe identitetin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Gjatë vizitës në shkollë, ai u ka dhuruar nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi në gjuhën shqipe, duke deklaruar se mbështetja për nisma të tilla do të vijojë.

Kryeministri i Kosovës ka falënderuar gjithashtu Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn për kontributin në këtë nismë, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa. Më pas, u ka uruar nxënësve suksese në mësimet e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: