Në mbrëmjen e mbylljes së edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, drejtori ekzekutiv Kujtim Çashku, i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes dhe Medaljonin e të Drejtave të Njeriut, Ambasadorit të Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades, për mbështetjen e tij ndaj  këtij edicioni.

“Kjo mbyllje nuk është fund, është një stinë, pjesë e procesit. Ne do të vijojmë te jemi një festival unik që nxjerr në pah krime, shkelje të drejtash, kudo ku njeriu i kërkon të drejtat, nga nënat ruse te mbrojtja e Evropës. Kemi krijuar një medaljon të veçantë për herë të parë, të nderojmë ambasadorin e Spanjës, për mbështetjen e tij”, tha Çashku.

Vetë ambasadori, duke vlerësuar misionin e një festivali i cili përmes prodhimeve artistike, vë në dukje të drejtat e njeriut e shkeljen e tyre, duke synuar ndërgjegjësimin e shoqërive.

“Jam i nderuar që e marr këtë mirënjohje për herë të parë dhe jemi krenar të mbështesim një festival, që është relevant sidomos sivjet me temën mbi paqen e kujtimin e viktimave, gjë që shkon paralel me politikat e Spanjës, ku jemi kundër çdo lloj agresioni, në Ukrainë apo në Palestinë. Ne po njohim viktimat e luftës civile dhe ato të regjimit të Frankos dhe po kërkojmë trupat e të zhdukurve. Ju uroj për angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha  ambasadori Gabriel Cremades.

Edicioni i 21-të pati temën, “Lufta, vendosja e paqes, shteti i se drejtës dhe përkujtimi i viktimave”.

Në 6 ditë, 39 filma sollën histori nga të zhdukuri në Shqipëri, mbi Izraelin e Palestinën, Ukrainën e Rusinë, Evropën mes SHBA-së dhe Lindjes së Largët, duke nxitur diskutim e reflektim, pavarësisht fuqisë, pushtetit, frikës, a paranojës që përhapin shtetet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb