Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, ka bërë sot daljen e tij të parë publike që prej marrjes së detyrës, gjatë ceremonisë së hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter.
Në fjalën e tij, Demo u ndal te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit, duke e cilësuar atë jo si një zgjedhje, por si një domosdoshmëri.
“Partneriteti ndërkombëtar nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”, u shpreh ministri, ndërsa theksoi se gjatë pesë viteve të fundit numri i skuadrave të përbashkëta është pesëfishuar.
Demo tha se ka pasur rezultate pozitive edhe në drejtim të aseteve kriminale të konfiskuara, ndërsa vlerësoi rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në arkitekturën e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar.
Sipas tij, rezultatet në luftën kundër kriminalitetit varen drejtpërdrejt nga aftësia për të punuar së bashku, ndërsa shtoi se rritja e besimit mes partnerëve sjell më shumë bashkëpunim dhe rezultate konkrete.
Ministri i Brendshëm vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me FBI-në dhe forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit.
“FBI ka një vlerë të panegociueshme”, deklaroi Demo, duke theksuar se njohuritë dhe përvojat e marra gjatë konferencës nuk duhet të mbeten vetëm në sallë, por të përcillen edhe në strukturat përkatëse.
Ai tha se do të vijojë investimi në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Demo përmendi edhe reformën në drejtësi, duke u ndalur te 10-vjetori i miratimit të saj dhe te institucionet e reja të krijuara si pjesë e kësaj reforme.
Në fund të fjalës, ministri i ri e cilësoi këtë aktivitet si daljen e tij të parë publike në detyrën e re, duke e shoqëruar me një batutë: “Kjo është dalja ime e parë si ministër dhe prezenca juaj më sjelltë fat”.
