Në takimin e radhës të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, që po zhvillohet në Tiranë, deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ngriti shqetësime lidhur me industrinë e mbrojtjes, trafikun e armëve dhe aferat e pretenduara rreth kompanive të sektorit.
Gjatë fjalës së tij, Cara iu referua edhe audiopërgjimeve të publikuara në emisionin “Çim Peka Live”, ku përmendet biznesmeni Ron Yeffet, të cilin deputeti e cilësoi si mik të kryeministrit Edi Rama, si dhe lidhjeve të pretenduara me kompani ku shteti shqiptar zotëron 20 për qind të aksioneve.
“Ka shqetësime reale dhe përgjime të publikuara në media që përfshijnë Roni Yeffet, mikun e Ramës, si dhe lidhjet e tij të pretenduara me kompani ku shteti shqiptar zotëron 20%. Përgjimet janë skandaloze. Faktet kërkojnë përgjigje”, deklaroi Cara.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe kërkoi transparencë në proceset që lidhen me industrinë e mbrojtjes.
“A ndodh, të nderuar zotërinj europarlamentarë, që në vendet tuaja paratë publike të shpërndahen pa garë, pa konkurrencë?”, u shpreh ai.
Cara theksoi se nuk po kërkon që në takim të shpallet fajtor ndonjë person, por që pretendimet e bëra publike të verifikohen përmes hetimit institucional.
“Nuk po kërkoj që në këtë sallë të shpallim fajtor askënd, por hetim, transparencë dhe llogaridhënie. Kur bëhet fjalë për industrinë e mbrojtjes, pasurinë shtetërore dhe sigurinë kombëtare, përgjigjja duhet të ishte hetimi, jo heshtja”, tha deputeti.
