Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar përmes një mesazhi në rrjetet sociale se Rusia ka humbur kontrollin mbi industrinë e saj të naftës si pasojë e drejtpërdrejtë e luftës në Ukrainë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se një numër i madh rafinerish ruse janë dëmtuar rëndë nga goditjet ushtarake dhe për rrjedhojë mbeten aktualisht jashtë funksionit.

“Rusia për fat të keq ka humbur kontrollin e industrisë së saj të naftës për shkak të luftës me Ukrainën”, shkroi presidenti amerikan, duke nënvizuar goditjen e fortë që ka marrë sektori energjetik i Moskës.

Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë përpara takimit të planifikuar të Trump me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të zhvillohet në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Duke ngritur shqetësimin për bilancin e rëndë njerëzor, Trump theksoi se çdo muaj humbin jetën rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë. Ai përsëriti thirrjen e tij për ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit ushtarak, duke u shprehur se kjo luftë qesharake dhe e pafundme me Ukrainën duhet të marrë fund.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb