Shtatë grupe të armatosura që veprojnë në zona të ndryshme të Etiopisë kanë njoftuar krijimin e një aleance të re, me synimin për të rrëzuar qeverinë në Addis Ababa. Koalicioni, i pagëzuar “Alliance for Survival”, përfshin milicinë Fano në Amhara, Ushtrinë Çlirimtare të Oromos (OLA), Frontin Çlirimtar të Popullit të Tigrayt (TPLF) dhe katër grupe të tjera më të vogla.
Grupet akuzojnë qeverinë e kryeministrit Abiy Ahmed se ka udhëhequr vendin drejt “luftës, gjenocidit, shkatërrimit masiv dhe varfërisë së skajshme”, duke pretenduar se Etiopia rrezikon të shpërbëhet. BBC i është drejtuar qeverisë etiopiane për një reagim lidhur me akuzat.
Etiopia është përballur prej vitesh me konflikte të armatosura në rajonet Oromia dhe Amhara, ndërsa tensionet janë rritur sërish edhe në Tigray. Lufta civile dyvjeçare në veri të vendit përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Afrikan në vitin 2022, por që prej atëherë ka pasur frikë për rikthimin e konfliktit në shkallë të gjerë, pasi palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.
Aleanca e re përfshin grupe nga Oromia, Amhara dhe Tigray, si edhe organizata të vendosura në rajonet Somali, Afar dhe Benishangul-Gumuz. Këto rajone përfaqësojnë gjysmën e 12 rajoneve administrative të Etiopisë, të cilat janë organizuar kryesisht mbi bazën e grupeve etnike dominuese.
Zëdhënësi i Ogaden National Liberation Front (ONLF), Abdikadir Addaani Hirmooge, tha për BBC se qeveria nuk kishte respektuar marrëveshjen e paqes të vitit 2018, e cila synonte t’i jepte fund konfliktit në rajonin Somali. Ai akuzoi Partinë e Prosperitetit të Abiy Ahmed se është “pengesë për popullin” dhe se ka nxitur konflikte që kanë sjellë shumë viktima.
Sipas Addaanit, konflikti etnik, pasiguria dhe përplasjet mes komuniteteve nuk janë zhdukur dhe kanë prekur grupe të ndryshme etnike. Ai tha se objektivi i koalicionit është bashkimi i komuniteteve të ndara dhe krijimi i kushteve për demokraci, vetëvendosje dhe vetëqeverisje.
Fano kishte luftuar në krah të forcave federale kundër TPLF-së gjatë luftës në Tigray, por më pas u përplas me qeverinë qendrore. Grupi nisi një kryengritje të armatosur më pak se një vit pas përfundimit të luftës, pasi refuzoi urdhrat e qeverisë për çarmatim. Ndërkohë, qeveria etiopiane është përballur me OLA-në në një konflikt të armatosur që prej vitit 2018.
Krijimi i “Alliance for Survival” vjen disa muaj pas raportimeve për një aleancë të mundshme mes TPLF-së dhe Eritresë, shtet fqinj i Etiopisë. Kryeministri Abiy Ahmed ka deklaruar se ka besim te aftësitë mbrojtëse të vendit dhe se nuk ka frikë për sovranitetin e Etiopisë.
Në qershor, Etiopia zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme, ku Partia e Prosperitetit e Abiy Ahmed ruajti shumicën dërrmuese në parlament. Procesi zgjedhor u zhvillua në një klimë të tensionuar për shkak të konflikteve, akuzave për represion dhe pjesëmarrjes së kufizuar të partive opozitare. Fano dhe OLA i kundërshtuan zgjedhjet dhe rezultatet e tyre, ndërsa rajoni i Tigrayt dhe rreth gjashtë milionë banorët e tij u përjashtuan plotësisht nga procesi zgjedhor.
