Gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan të SHBA-ve, kryeministri Edi Rama është ndalur gjerësisht te vendimi i fundit i Gjykatës Speciale të Hagës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rama e ka cilësuar dënimin e tyre si një “mort për së gjallë” dhe një shfaqje të pafuqisë kombëtare përballë asaj që e quajti një “marre ndërkombëtare”.
Kreu i qeverisë pranoi se përgatitja e fjalës për këtë ngjarje ka qenë tejet e vështirë për shkak të peshës së rëndë që mban ky vendim për të gjithë faktorin shqiptar.
“Motra dhe vëllezër dua t’u them se si rrallëherë jam përpëlitur si këtë herë duke rreshtuar fjalët e një fjalimi sepse as kisha si e shmangia atë që ndodhi në Hagë para ca ditësh, por edhe nuk gjeja rrugën si t’i qasesha atij guri të madh të rëndë përballë të cilit për hir të vërtetës fjalët duken të kota njësoj si në një mort, mort për së gjallë në këtë rast, një varrosje njerëzish të gjallë dhe pafuqi kombëtare përballë një marreje ndërkombëtare,” deklaroi Rama.
Më tej, Rama theksoi se edhe pse parimi i shtetit të së drejtës kërkon respektimin e vendimeve gjyqësore, populli shqiptar nuk mund ta gjejë veten te një vendim që tjetërson vetë konceptin e drejtësisë.
“Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh dhe që e përsërisim shpesh, respektoni vendimin e gjykatës, shteti i së drejtës, bota demokratike funksionon mbi respektin për vendimet e gjykatave dhe nuk e diskutojmë këtë. Por jo vendimin e gjykatës, por edhe vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast nuk është ky por problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve në emër të popullit kur vetë populli nuk e gjen askund veten në atë vendim të dhënë jo thjesht në gjuhë të huaj por edhe në një tehuajsim të vetë drejtësisë.”
Në përmbyllje të fjalës së tij për këtë çështje, kryeministri nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pa rezerva në krah të Kosovës dhe se respektimi formal i procedurave nuk do të thotë pranim i heshtur i vendimit.
“Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë se sa t’i rrijë krah Kosovës për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre 4 burrave. Unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të gjykatës nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si afat pa apel,” përfundoi Edi Rama.
