Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një mesazh të prerë regjimit të Teheranit gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku rrëfeu prapaskenat e përplasjeve diplomatike e ushtarake me Iranin dhe lëshoi paralajmërime të ashpra për të ardhmen e Republikës Islamike.

Gjatë fjalës së tij para liderëve botërorë, Trump theksoi se administrata e tij nuk ka asnjë interes të lejojë që rreziqet globale të rriten apo që problemet të përkeqësohen me kalimin e kohës.

“Ndërsa të tjerët kanë folur, unë kam vepruar. Ndërsa të tjerët kanë folur për paqe, unë kam bëre paqe. Ndërsa të tjerët kanë injoruar kërcënimet, unë i kam përballur ato,” deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Duke u ndalur te kronologjia e marrëdhënieve me “regjimin fanatik iranian”, Trump zbuloi dy pikat kyçe ku sipas tij Teherani bëri gabime fatale strategjike:

“Me marrjen e detyrës vitin e kaluar, unë menjëherë hapa negociatat me Iranin dhe i ofrova atyre bashkëpunim të plotë ekonomik në këmbim të përfundimit të programit të tyre bërthamor dhe mbështetjes për terrorizmin. Por ata refuzuan, refuzuan absolutisht. Ky ishte një gabim i madh,” tha Trump.

Presidenti amerikan kujtoi se pas këtij refuzimi, SHBA ndërmori Operacionin “Çekani i Mesnatës” (Midnight Hammer), ku ushtria amerikane shkatërroi kompleksin bërthamor iranian nën male. Pavarësisht goditjes, sipas Trump, Teherani refuzoi për herë të dytë kërkesën për marrëveshje, ndërsa kishte zhvilluar edhe një raketë me rreze të gjatë veprimi të aftë për të goditur Evropën.

Sa i përket hapave të mëtejshëm në këtë përplasje, Trump u shpreh se tashmë i duhet të marrë një vendim përfundimtar midis dy rrugëve: arritjes së një marrëveshjeje që lejon rindërtimin e ekonomisë iraniane, ose goditjes me forcë të plotë ushtarake.

“A ta shkatërroj Republikën Islamike, dhe ta bëj shpejt? A t’i çoj unë në ferr?” u shpreh Trump para Asamblesë së Përgjithshme.

Pavarësisht retorikës së ashpër, udhëheqësi amerikan shprehu besimin se liderët e Iranit do të ulen në tryezën e bisedimeve dhe se një marrëveshje dypalëshe do të arrihet menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA gjatë muajit nëntor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb