Tifozeria e Vllaznisë duket e ndarë në këtë periudhë të vështirë që po kalon skuadra kuqeblu. Rezultatet negative në startin e kampionatit kanë shtuar pakënaqësinë mes mbështetësve, ndërsa në rrjetet sociale është bërë thirrje për protestë, ku kërkohet largimi i trajnerit Edi Martini dhe presidentit Alban Xhaferi.
Megjithatë, kjo nismë deri tani ka mbetur në kuadrin e rrjeteve sociale dhe nuk është shndërruar në një protestë konkrete. Për më tepër, ndaj saj janë pozicionuar kundër disa prej tifozëve më të vjetër të Vllaznisë, pjesë e grupimit “Shoqata e Tifozëve Përjetë Kuq e Blu”.
PROTESTËN NUK E SHOHIN TË NEVOJSHME – Tifozët veteranë kanë bërë publik qëndrimin e tyre, duke argumentuar se një protestë e tillë nuk është e nevojshme në këtë moment. Pakënaqësia për situatën sportive, sipas tyre, është e kuptueshme, por mënyra e reagimit dhe objektivi duhet të jenë të qarta. Ata kërkojnë që vëmendja të përqendrohet te problemet që lidhen drejtpërdrejt me skuadrën dhe mënyrën se si ajo po paraqitet në fushë.
MERKATOJA DHE ORGANIZIMI, NË QENDËR – Rezultatet, merkatoja, organizimi sportiv dhe mënyra e ndërtimit të skuadrës janë disa prej çështjeve që kanë shtuar shqetësimin te mbështetësit. Pikërisht këtu, sipas tifozëve të vjetër, duhet të jetë edhe fokusi i reagimit të tifozerisë. Ata kërkojnë që presioni të ushtrohet mbi problematikat konkrete të ekipit dhe jo të zhvendoset diskutimi në drejtime të tjera.
“VLLAZNIA ËSHTË KLUB I PRIVATIZUAR” – Një tjetër argument i “Shoqatës së Tifozëve Përjetë Kuq e Blu” lidhet me faktin se Vllaznia prej vitesh është klub i privatizuar. Për këtë arsye, sipas tyre, përgjegjësia për drejtimin dhe organizimin i takon strukturave drejtuese të klubit. Në këtë këndvështrim, reagimi i tifozerisë duhet të fokusohet te mënyra se si po funksionon skuadra, rezultatet dhe problematikat sportive.
KUQEBLUTË, PA NJË ZË – Kështu, në një prej startimeve më të vështira të viteve të fundit, kriza e Vllaznisë duket se nuk po kufi zohet vetëm te fusha e lojës. Edhe në tribuna qëndrimet janë ndarë: një pjesë kërkon ndryshime të forta dhe largime në klub, ndërsa një tjetër kërkon qetësi dhe përqendrim te problemet sportive. Në një moment delikat për kuqeblutë, tifozeria që tradicionalisht ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë, tashmë duket se po përballet edhe me një debat të brendshëm: Protestë apo mbështetje, ndryshime të menjëhershme apo kohë për reagim?
