Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot, në orën 10:00, në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca urgjente me ministra të qeverisë, si dhe shqyrtimi i disa projektligjeve.
Dy interpelancat janë kërkuar nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në interpelancë do të thirret ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili pritet t’u përgjigjet pyetjeve të opozitës për çështje që lidhen me dikasterin që drejton.
Përballë deputetëve të opozitës do të jetë edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro. Interpelanca me të do të përqendrohet te problematikat që lidhen me arsimin.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektligji që lidhet me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të NATO-s “Forca Ndërkombëtare të Stabilitetit” në Gazë.
Projektligji parashikon angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë operacion dhe për miratimin e tij në Kuvend kërkohet shumicë absolute votash.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 56, datë 22.9.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.9.2026. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Projektligji “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, “Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike””.
7. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
