Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë skenarin e një bojkoti të Kuvendit nga opozita, duke deklaruar se deputetët demokratë do të vijojnë betejën e tyre brenda Parlamentit dhe do të përballen aty me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha pranoi se bojkoti do të ishte vendimi më i lehtë për opozitën në kushtet aktuale, por argumentoi se një lëvizje e tillë do t’i jepte avantazh politik kryeministrit.

“Vendimi ynë më i lehtë do të ishte bojkoti i Parlamentit, por ky do të ishte avantazh për Ramën”, deklaroi Berisha.

Kreu demokrat tha se Rama po lufton tashmë për mbijetesën e tij politike dhe personale dhe se për kreun e qeverisë nuk ka një rrugë tjetër pas largimit nga posti përveç përballjes me drejtësinë.

“Sot, i damkosur më shumë se kurrë, çdonjëri nga ne duhet ta ketë të qartë se ai po lufton për ekzistencën e tij dhe se nga ajo karrige nuk ka tjetër rrugë veçse në qeli për dhjetëra krime të bëra. Është i aftë të bëjë gjithçka për të ruajtur veten”, tha Berisha.

Pavarësisht akuzave dhe situatës që opozita pretendon se është krijuar në Kuvend, Berisha deklaroi se Grupi Parlamentar i PD-së do të përshtatë strategjinë e tij dhe do të vazhdojë përballjen parlamentare.

“Megjithatë, Grupi Parlamentar do të përshtatet dhe do t’i japë përgjigjet e merituara. Ne jemi në kushte të vështira në Kuvend, por në këto kushte ne duhet t’i japim po aty përgjigjet më të forta të mundshme”, deklaroi ai.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb