49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili u plagos me thikë mbrëmjen e së mërkurës, 23 shtator, në Tiranë, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Marko Boçari”, brenda ambienteve të një lokali pranë gjimnazit “Petro Nini”. Sipas të dhënave paraprake, Cara dyshohet se është konfliktuar me 50-vjeçarin Toni Nake, i cili më pas e ka goditur me mjet prerës.
Policia ka konfirmuar zyrtarisht vdekjen e 49-vjeçarit, duke bërë me dije se, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ai ka ndërruar jetë në spital.
“În vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi K. C., 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë përleshjes mbeti i dëmtuar edhe autori i dyshuar, Toni Nake. Ai u arrestua nga policia dhe u dërgua gjithashtu në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.
