Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka përkujtuar sot, në trevjetorin e sulmit në Banjskë, rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë përleshjeve me grupin e armatosur.

Përmes një reagimi, Ambasada britanike ka nderuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me sulmin dhe rikthimit të sigurisë në zonë.

“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ambasada ka vlerësuar gjithashtu punën e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për zbardhjen e rastit dhe ndjekjen penale të personave të dyshuar, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së përgjegjësisë.

Sipas Ambasadës britanike, personat përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë.

“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagim.

Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Ngjarja shkaktoi përleshje të armatosura mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur në veri të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb